Rama nderon kampionët e Kickboksit me “Hyjneshën në Fron”: Prishtina gjithmonë krah sportistëve tanë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur në Odën e Kryeqytetit drejtorin e Federatës së Kickboksit të Kosovës, Fatmir Makolli, bashkë me dy kampionë të dekoruar në arenën evropiane dhe botërore, si dhe trajnerët e tyre.

Në këtë takim të veçantë, kryetari Rama shprehu mirënjohjen për sukseset e arritura dhe përkushtimin e tyre në sport, duke theksuar se sportistët janë ambasadorët më të mirë të Kryeqytetit.

“Sporti është krenaria jonë, e sportistët janë ambasadorët më të mirë të Kryeqytetit”, tha Rama, duke shtuar se Prishtina do të jetë gjithmonë përkrah sportistëve në çdo hap të rrugëtimit të tyre drejt suksesit.

Në shenjë nderimi dhe respekti, kryetari Rama u dhuroi secilit nga të pranishmit simbolin e “Hyjneshës në Fron”, si një shprehje e vlerësimit institucional për kontributin dhe lavdinë që i sjellin Kosovës në arenën ndërkombëtare. /Kosova.info/


Go to TOP