Peci: Kurti i ofroi Nismës marrëveshje të favorshme

Deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci është shprehur optimist se gjatë kësaj jave mund të ketë formim të institucioneve. Ai tha se oferta e kryeministrit në detyrë për kreun e Nismës ka qenë gjeneroze që ata të marrin pozicione të rëndësishme në qeverinë e ardhshme.

Deputeti, Faton Peci para fillimit të përpjekjes së 51-të të konstituimit të Kuvendit tha se ka diskutime të vazhdueshme mes Kurtit dhe Limajt.

Peci: Ka diskutime të vazhdueshme, oferta e kryeministrit për Nismën ka qenë bukur gjeneroze

“E di që ka diskutime të vazhdueshme, unë dua të besojë çdo herë vi me qëllimin pozitiv dhe dua të jem optimist se kjo javë mund përfundimisht që të krijojë një situatë të re ku ne do të kemi kuvend dhe qeveri. Mendoj që gjithë ata që i kontribuojnë kësaj, secili deputet individualisht edhe secila parti politike i kontribuon Kosovës…Dikush thotë që shpresa vdes e fundit, unë them shpresa nuk vdes kurrë. Kështu që shpresë çdo herë duhet me pas dhe mendoj që me aq sa ne kemi informacione oferta e kryeministrit për Nismën ka qenë bukur gjeneroze për mundësinë që ata të marrin pozicione të rëndësishme në qeverinë e ardhshme dhe për të dhënë kontributin, idenë e vizionin dhe programin për çfarë kanë konkurruar në zgjedhjet e fundit…Bëhet fjalë për disa pozicione”, deklaroi ai.

Ai e ka quajtur pozitive kërkesën e presidentes, Vjosa Osmani për masë të përkohshme për ndalimin e rrjedhjes së afatit për konstituim të kuvendit.

Kujtojmë që sot është tentativa e 51-të e legjislaturës së nëntë për konstituimin e institucionit legjislativ të Kosovës.

Afati i fundit për konstituim të Kuvendit të Kosovës në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese është data 26 korrik.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti gjatë një konference për shtyp të mbajtur të hënën tha se kjo javë do të jetë definitive për të marrur përgjigjjen nëse do ketë konstituim të institucioneve të reja apo do të kemi përgjigjjen se çka do të ndodhë pas afatit të Kushtetueses.

Go to TOP