Muharremi: Marrëveshja Kurti-Limaj, e vështirë dhe me kosto të lartë për LVV-në

Analisti Shenoll Muharremi ka vlerësuar si pak të mundshme një marrëveshje ndërmjet Albin Kurtit dhe Fatmir Limajt duke theksuar se interesat politike të dyja palëve janë diametralisht të kundërta dhe se një bashkëpunim i tillë do t’i shkaktonte më shumë dëm sesa përfitim Lëvizjes Vetëvendosje.

“Marrëveshja Kurti-Limaj? Vështirë e realizueshme,” shkroi Muharremi duke rikujtuar që Vetëvendosje ka qenë për vite me radhë kritike dhe e ashpër ndaj Limajt. “Si me ja shpjegu këtë elektoratit të vet LVV në zgjedhjet e ardhshme? Nuk mundet dhe dëmi është i lartë.”

Ai vlerëson se nëse një marrëveshje ndodh, Kurti mund të përfshijë disa figura të panjohura nga Nisma në qeveri, ndërsa Limaj të mbetet vetëm deputet. Por, nga ana tjetër, pretendimet e Limajt janë shumë më të mëdha – përfshirë pozitën e Kryetarit të Kuvendit, e cila mund të shndërrohet në pozicion të Presidentit në detyrë në prill të vitit të ardhshëm.

“Interesat nuk përputhen. E vetmja gjë që ky ‘bashkëpunim’ e arrin është me ia zgjatë jetën qeverisë së Kurtit edhe për disa muaj, por me çmimin e dëmeve të mëdha afatgjata,” theksoi Muharremi.

Ai përmbyll se ka më shumë gjasa që kjo marrëveshje të mos ndodhë fare dhe se, në rast të realizimit, kostoja politike për Vetëvendosje do të jetë shumë më e madhe sesa çdo përfitim i mundshëm. /Kosova.info/


Go to TOP