Gjermania me dhjetë lojtare eliminon Francën dhe kalon në gjysmëfinale

Gjermania e futbollit të femrave ka arritur fitore të madhe ndaj Francës dhe është kualifikuar në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian.

Gjermanet kanë fituar pas penalltive me rezultat 6:5, pasi ndeshja pas kohës së rregullt dhe vazhdimeve ka përfunduar baras 1:1. 

Gjermania ka mbetur me një lojtare më pak që në minutën e trembëdhjetë, kur Kathrin Hendrich ka marrë karton të kuq.

Franca e ka shfrytëzuar këtë mundësi për të kaluar në epërsi me golin e Grace Geyoro nga penaltia.

Por Gjermania nuk është dorëzuar. Skuadra që ka fituar nëntë herë titullin e kampionit të Evropës ka barazuar rezultatin me golin e Sjoeke Nusken në pjesën e parë.

Franca e ka pasur të vështirë ta shënojë golin e dytë, edhe pse i janë anuluar dy gola për pozicion jashtë loje.

Gjermania ka pasur një mundësi të mirë me penallti për ta fituar ndeshjen në pjesën e dytë, por portierja franceze e ka ndalur goditjen.

Pas 120 minutash lojë, gjithçka është vendosur në penallti. Portierja gjermane Ann-Katrin Berger ka qenë heroina e ndeshjes, duke pritur dy penallti të Francës dhe duke ia siguruar fitoren ekipit të saj.

Me këtë fitore, Gjermania arrin në gjysmëfinale ku do të përballet me Spanjën, që konsiderohet favorite për ta fituar Evropianin.


Go to TOP