Jashari: Epokës së spiunëve të Serbisë po i vjen fundi – Kosova po bëhet më e sigurt
Avokati Arbër Jashari ka reaguar pas arrestimit të një zyrtari të lartë të Policisë së Kosovës, i dyshuar për bashkëpunim me strukturat e sigurisë së shtetit serb dhe për rrjedhje të informatave të ndjeshme.
Në një deklaratë publike, Jashari vlerësoi se Kosova po bëhet çdo ditë e më shumë një vend më i sigurt, falë punës profesionale të institucioneve të sigurisë, me theks të veçantë te Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
“Arrestimi i sotëm është një goditje e rëndë për të gjithë ata që veprojnë kundër interesave të shtetit të Kosovës,” tha Jashari, duke theksuar se veprimtaria e agjentëve dhe spiunëve të lidhur me Serbinë që nga paslufta ka dëmtuar rëndë vendin.
Sipas tij, këto aktivitete kanë sjellë pasoja të mëdha si procese të montuara kundër pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njollosje të imazhit ndërkombëtar dhe rrezik të vazhdueshëm për destabilizim të brendshëm.
“E mira është se kjo epokë po i vjen fundi”, përfundon deklarata e Jasharit, duke dhënë sinjale optimizmi për forcimin e institucioneve të shtetit dhe çrrënjosjen e ndikimit të Serbisë brenda Kosovës. /Kosova.info/
