AVONET: Duart lart nga sistemi i pavarur gjyqësor dhe ai i ndjekjes penale!

Rrjeti i organizatave AVONET ka reaguar me shqetësim lidhur me zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë në Kosovë duke përmendur si problematike sulmet ndaj Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale si dhe deklaratat publike të zyrtarëve të lartë qeveritarë kundrejt një vendimi të Gjykatës Supreme.

Siç thuhet në deklaratën e AVONET, “sulmi ndaj kryeprokurorit Isufaj, në kohën kur ai ka nisur hetime ndaj dyshimeve për keqpërdorime në disa tenderë publikë dhe në menaxhimin e parasë publike, përbën kërcënim serioz ndaj sistemit të drejtësisë, funksionimit të shtetit ligjor dhe përpjekjeve për luftimin e korrupsionit në Kosovë”.

Në të njëjtën deklaratë theksohet se “deklaratat denigruese të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës kundrejt vendimit të Gjykatës Supreme për rastin e arkave fiskale janë të papranueshme dhe cenojnë pavarësinë e pushtetit gjyqësor”.

Sipas AVONET, “institucionet shtetërore, në vend që të garantojnë zbatimin e ligjit dhe respektimin e vendimeve gjyqësore, po përdorin retorikë të papërgjegjshme me prapavijë politike”.

Organizata u bën thirrje autoriteteve të drejtësisë “që të hetojnë menjëherë dhe pa kompromis çdo kërcënim apo presion ndaj Kryeprokurorit dhe prokurorëve që merren me raste të ndjeshme”.

Gjithashtu, AVONET kërkon nga ana e zyrtarëve publikë që “të përmbahen nga deklaratat që nxisin mosbesim ndaj institucioneve të drejtësisë dhe të respektojnë pavarësinë e tyre”.

AVONET nënvizon se “lufta kundër korrupsionit nuk mund të zhvillohet pa një sistem të drejtësisë të pavarur dhe të pakorruptueshëm”, duke shtuar se “çdo tentim për ta frikësuar apo diskredituar atë është sulm direkt ndaj demokracisë dhe interesit qytetar”. /Kosova.info/


Go to TOP