Policia dhe Posta e Kosovës lidhin marrëveshje bashkëpunimi me komunat e Rajonit të Prishtinës

Në funksion të përmirësimit të qasjes së qytetarëve në shërbime publike dhe rritjes së efikasitetit institucional, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë dhe Posta e Kosovës kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me komunat e Rajonit të Prishtinës.

Nënkolonel Basri Shabani, përfaqësues i Policisë Rajonale të Prishtinës, së bashku me përfaqësues nga Posta e Kosovës, kanë zhvilluar takime të ndara me përfaqësuesit e komunave: Prishtina, Fushë Kosova, Obiliqi, Podujeva, Drenasi, Graçanica dhe Lipjani, për të formalizuar këto marrëveshje bashkëpunimi.

Qëllimi kryesor i kësaj nisme është lehtësimi i procedurave dhe përshpejtimi i shpërndarjes së dërgesave zyrtare, përfshirë edhe gjobat e trafikut, përmes shërbimeve të Postës së Kosovës. Kjo pritet të ndikojë drejtpërdrejt në efikasitetin e institucioneve dhe në shërbimin ndaj qytetarëve.

Ky model bashkëpunimi ndërmjet Policisë, Postës dhe komunave përbën një hap konkret drejt modernizimit të administratës publike dhe ofron një shembull të suksesshëm të koordinimit ndërinstitucional në interes të qytetarëve të Rajonit të Prishtinës. /Kosova.info/


Go to TOP