Ilazi dhe Gashi: Rikthimi në EQAR, garanci për njohjen e diplomave
Hasnije Ilazi, kryetare e Këshillit Shtetëror të Cilësisë e Naim Gashi, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë së Akreditimit kanë qenë mysafirë në edicionin qendror të lajmeve në RTK, me rastin e rikthimit të Kosovës në EQAR.
Hasnije Ilazi tha se rikthimi i Kosovës në EQAR nënkupton që Agjencia e Kosovës për Akreditim është agjenci që punon në përputhje me standardet evropiane.
“Dhe si e tillë akrediton edhe programe dhe institucione, dhe në këtë mënyrë diplomat që lëshohen nga institucionet janë me vlerë, janë me peshë. Është me rëndësi për studentët tanë, për të rinjtë që diplomojnë në Kosovë që diplomat e tyre do të pranohen më shpejt, më lehtë ndërkombëtarisht, respektivisht besueshmëria për diplomat e tyre është e nivelit më të lartë. Kjo është rezultat i një pune shumëvjeçare, përpjekje që kanë rezultuar suksesshëm edhe pse nuk ka qenë e lehtë”, tha ajo.
Ndërkaq, Naim Gashi, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë së Akreditimit tha se rruga ishte e gjatë dhe nuk ishte pa sfida. Tregoi për standardet që kanë qenë deri në plotësimin e kritereve për rikthim.
“Kanë qenë 14 standarde me të cilat është vlerësuar Agjencia e Kosovës për Akreditim. Vitin e kaluar kemi pasur një ekip të ekspertëve të ENQA-s që kanë ardhur dhe i kanë vlerësuar ato standarde një nga një. Fatmirësisht raporti ka rezultuar pozitiv dhe bazuar në atë raport ne jemi pranuar anëtar me të drejta të plota në EQAR. Është lajm i jashtëzakonshëm për faktin se jemi vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që pranohemi anëtar me të drejta të plota në EQAR, përderisa vende të tjera të rajonit janë bukur larg. Ajo që dua të them është se, EQAR-i është institucion i BE-së, ku regjistrohen shtetet dhe databazat e institucioneve të arsimit të lartë do të barten nga Prishtina në Bruksel, dhe njohja e diplomave do të jetë më e lehtë, më e shpejt”, tha Gashi.
