Prishtina mirëpret kampin zyrtar të AC Milan: Pesë ditë me trajnerë italianë për fëmijët e kryeqytetit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka hapur zyrtarisht edicionin e parë të AC Milan Junior Camp Kosovo, një nga kampet më të rëndësishme ndërkombëtare të mbajtura ndonjëherë në kryeqytet. Ky kamp do të zgjasë pesë ditë dhe do të udhëhiqet nga trajnerë profesionistë të klubit të famshëm italian AC Milan.

Nëpërmjet këtij kampi, fëmijët nga Prishtina dhe rajone të tjera do të kenë mundësinë të mësojnë më shumë rreth filozofisë së lojës, vlerave të ekipit dhe rëndësisë së bashkëpunimit – parime që e bëjnë këtë aktivitet shumë më tepër se vetëm një ngjarje sportive.

“Kampi është simbol i miqësisë mes Kosovës dhe Italisë, dhe një model i bashkëpunimit ndërkombëtar. Mbi të gjitha, ky është një investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen e fëmijëve tanë,” u shpreh Rama.

Ai theksoi se kryeqyteti e sheh sportin si mjet për edukim, përfshirje dhe barazi duke falënderuar partnerët që ndajnë të njëjtin vizion për të ndërtuar standarde të reja në zhvillimin rinor.

Kampi AC Milan Junior Camp në Prishtinë është një mundësi e rrallë për të rinjtë që të përjetojnë përvojën e një klubi të elitës evropiane nga afër dhe të frymëzohen për të ndjekur ëndrrat e tyre sportive. /Kosova.info/

Go to TOP