Hoti: Cigaret elektronike-një mashtrim agresiv i industrisë së duhanit, viktima të rinjtë

Në një kohë kur pirja e duhanit dhe përdorimi i cigareve elektronike po kthehen në shqetësime serioze shëndetësore e sociale, Kosova.info sjell një intervistë me Faik Hotin, ekspert i shëndetit publik dhe një nga autorët kryesorë të Ligjit për Kontrollin e Duhanit, miratuar në vitin 2013. Me përvojë shumëvjeçare në hartimin dhe zbatimin e politikave kundër duhanpirjes, Hoti flet për efektet e ligjit, sfidat në zbatim, ndikimin e industrisë së duhanit dhe rrezikun në rritje nga cigaret elektronike. Ai ndan gjithashtu të dhëna konkrete, shembuj ndërkombëtarë dhe rekomandime për institucionet vendore, në funksion të mbrojtjes së shëndetit publik në Kosovë

Kosova.info: Z. Hoti, jeni marrë një kohë të gjatë me çështjen e duhanpirjes në Kosovë dhe keni kryesuar Grupin që ka hartuar Ligjin për Kontrollin e Duhanit më 2013. Çfarë rezultatesh ka prodhuar ky ligj?

Faik Hoti:Ligji, në kohën kur është miratuar qe vlerësuar edhe nga Zyra Regjionale e OBSh-së si një nga ligjet më përmbajtësore në fushën e kontrollit të duhanit, jo vetëm për rajonin tonë. Rezultatet janë të prekshme, sado që synimet ishin më të mëdha. Falë këtij ligji, qytetarët kanë më shumë informacione për duhanpirjen si një shprehi me pasoja shkatërruese për shëndetin; janë krijuar hapësira të lira pa duhan ku njerëzit nuk i ekspozohen tymit të duhanit; janë ngritur taksat në këtë produkt dhe më e rëndësishmja ka pasur ulje të përdorimit. Studimet e kryera kanë treguar për rënie të nivelit të përdorimit të duhanit dhe ngritje të njohurive për pasojat e duhanpirjes.

Kosova.info: Kur thoni rënie, si e mbështesni këtë?

Faik Hoti: Pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Kontrollin e Duhanit, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka kryer dy hulumtime kredibile rreth duhanpirjhes, të cilat kanë nxjerrë disa rezultata pozitive. Më 2016, IKSHPK ka kryer Hulumtimin gjithëpërfshirës të duhanpirjes tek të rinjtë në Kosovë, i njohur si GYTS 2 Kosova që u realizua në 66 shkolla në gjithë vendin dhe ku në hulumtim kanë marrë pjesë 5031 nxënës nga klasët 7, 8 dhe 9.  Hulumtimi tregoi se përdorimi i duhanit te të rinjtë nga 6.7% ( sa ishte më 2005, kur u realizua GYTS 1) kishë rënë në 4.4% (2016); derisa duhanpirja pasive nga 84%, shënoi rënie në 43%. Të dy këto ndryshime lidhen drejtpërdrejt Ligjin për Kontrollin e Duhanit 2013.

Ndërkaq, hulumtim tjetër i kryer nga IKSHPK është STEPS, në vitin 2019. Hulumtimi (përqindja e të anketuarve përdorues aktualë të duhanit), gjeti se: nga 28.4% sa ka qenë konsumi i duhanit më 2011, më 2019 ra në 25.7%. Pra, një rënië prej gati 3%.

Kosova.info: Megjithatë, përshtypja ekziston se duhani po pihet më shumë?

Faik Hoti: Po, kjo përshtypje krijohet gjithandej, sepse gjithmonë e keqja bien në sy më shumë se e mira. Shkelësit bien në sy, sepse e bëjnë atë që nuk është normale, që në rastin konkret i bie se konsumojnë duhan aty ku është e ndaluar në dëm të të tjerëve apo qytetarëvë të ndërgjegjshëm.  Por, mos të harrojmë, shumica e qytetarëve apo ¾ e popullatës nuk janë konsumues të duhanit, e që për fat të keq,  në shumë raste i ekspozohen duhanpirjes pasive që e shkaktojnë shkelësit e ligjit.

Kosova.info: A nuk është përgjegjësi e institucioneve mbikëqyrëse që të veprojnë dhe ligji të zbatohet?

Faik Hoti: Është patjetër dhe, kjo mbikëqyrje nuk ka të bëjë vetëm me monitorimin e përdorimit dhe mbrojtjen nga ekspozimi, por edhe me ndalimin e reklamimit, ndalimin e ndërveprimit midis institucioneve qeveritare dhe industrisë së duhanit, zbatimin e vërejtjeve të kombinuara shëndetësore dhe rritjen e taksave në duhan.

Tash, sa institucionet mbikëqyrëse po e kryejnë punën e vet, kjo është temë për diskutime e debat, sepse për aq kohë sa në hapësire publike, mjedise pune dhe vende të mbyllura dikush konsumon duhan, kjo tregon që ka probleme, ose me ndërgjegjen e qytetarëve ose me zbatimin e detyrave nga inspektoratet. Në rastin tonë, nga të dyja.

Kosova.info: I përmende taksat, në shumë vende konsiderohen si masa më efektive. Po në Kosovë?

Faik Hoti: Nuk ka dyshim, ngritja e taksave në duhan dhe në produkte të tij është mjeti më efikas për të ulur përdorimin e duhanit. Shtetet që kanë norma të larta të taksave në duhan, kanë arritur ta ulin përdorimin e duhanit. Kosova ka ndjekur një rrugë të ngritjes graduale të taksës në duhan. Nga 27 euro për kg (1,000 cigare) sa ka qenë taksa më 2013 kur ka hy ligji në fuqi, tani është 65 euro për kilogram, që tregon për një rritje graduale dhe të konsideruar të taksës në duhan. Megjithatë, nuk kemi arritur ende normën që e kanë vendet e BE-së, sipas Direktivës 2011/64/BE, sipas së cilës akciza totale për një paketë cigare duhet të jetë të paktën 60% e çmimit me pakicë dhe jo më pak se 90 euro për 1 kg (1,000 cigare).

Viteve të fundit, krahas duhanit tradicional, probleme po paraqet cigarette elektronike. Industria pretendon se ato janë shumë më pak të dëmshme se cigarette tradicionale.

Ky është një mashtrim tipik nga ana e industrisë së duhanit. Por, fatkeqësisht në kurthin e të cilës bien shumë klientë, sidomos të rinjtë. Reklamohen si “më të sigurta”, por në fakt ato janë mashtrime dhe marketing agresiv nga ana e industrisë së duhanit, e cila i vendos ato në treg si cigare-VAPE ose ENDS (sisteme elektronike të shpërndarjes), në forma të ndryshme me shije të ndryshme të frutave për të mashtruar kryesisht adoleshentët dhe të rinjtë.

Industria lufton për klientelë të re, afatgjate, sepse kështu mirëmbajnë dhe shumëfishojnë përfitimet e veta dhe varfërojnë dhe dëmtojnë të tjerët.

Shumica e cigareve elektronike – përfshirë VAPES dhe ENDS,  përmbajnë nikotinë, shpesh në nivele të krahasueshme ose më të larta se cigaret tradicionale. Kjo u dëshmua edhe me studime të ndryshme shkencore si studimi i fundit i Universitetit të Kalifornisë, San Francisco (2024) i drejtuar nga Dr. Stanton Glantz dhe kolegët e tij, që gjeti se cigaret elektronike janë po aq të dëmshme sa edhe cigaret klasike dhe se përmbajnë nikotinë dhe toksia të shumta që vijnë nga metalet e rënda dhe përbërësit e tjerë toksik.

Pra, ekspertë nga organizata si OBSH, CDC, etj. i konsiderojnë cigaret elektronike një “mashtrim të ri me ambalazh të ri”.

Në Kosovë, aktualisht, politikëbërësit e kanë vendosur ta bëjnë rregullimin me ligj të cigareve elektronike- Vapes dhe ENDS dhe në ligjin e ri që është në procedurë, këto çështje pritet të adresohen.

Kosova.info: Çka duhet të bëjnë institucionet tona?

Faik Hoti: Atë që e kanë bërë më 2013, kur si një rezultat i bashkëpunimit të mirë me shoqërinë civile (KADC, Koalicioni anti duhan…), OBSH-në, UNICEF-in dhe organizata të tjera sollën një ligj të avancuar. Tani, duhet të veprojnë për të zënë hapin me shtetet e tjera që po fuqizojnë kontrollin përmes ligjeve dhe vendimeve të drejtpërdrejta për ta mbrojtur qytetarin dhe shëndetin e tij.

Franca shembull nga ky muaj ka ndaluar pirjen e duhanit në plazhe, parqe, oborre publike dhe stacione autobusësh; Britania e Madhe me ligjin i ri për ndalimin e shitjes së duhanit për gjeneratat e reja (2024–2025) nga prilli 2024 ka ndaluar përherë blerjen e duhanit të rinjve të lindur pas vitit 2009 dhe ka bërë kufizimin e vapes dhe aromave; Turqia ka ndaluar përdorimin e duhanit dhe vapës në vende publike; Sllovenia ka ndaluar të gjitha aromat në cigaret elektronike dhe produktet e ngrohjes, vetëm aroma e duhanit është e lejuar nga 24 prilli 2025, etj. Pra, ka mjaft shembuj të mirë që duhet ndjekur, dhe model duhet marrë shtetet që kanë pasur sukses dhe kanë ulur ndjeshëm përdorimin e duhanit.

Kosova.info: Me që jeni mjek dhe vini nga fusha e shëndetit publik, cilat janë benefitet e atyre që e lënë duhanin?

Faik Hoti: Të shumta. Lënia e duhanit ndikon në përmirësimin e shëndetit, ul mundësinë për kancer, hipertension, sëmundje të zemrës, goditje në tru dhe dhe shumë sëmundje të tjera. Ka përfitime afatshkurtra që nisin menjëherë duke filluar nga përmirësimi i rrahjeve të zemrës dhe shtypja e gjakut, uljen e vlerave të monoksidit të karbomnit, përmirësimi i qarkullimit të gjakut dhe i funksionimit të mushkërive, etj., derisa në rrafshin afatgjatë: Pas 9 muajsh kolliteni më pak; pas 1 viti përgjysmohet rreziku për sëmundje koronare të zemrës, pas 5 vjetësh përgjysmohet rreziku për kancer të gojës, fytit, ezofagut, ndërsa pas 10 vjetësh, gjasat që të vdiset nga kanceri i mushkërive përgjysmohen…

Fitimi është i madh edhe në aspektin financiar, sepse kursehen para që mund të përdoren për qëllime të tjera të shëndetshme. Mos ta harrojmë: Duhani sot nuk e bënë askënd të duket “in” apo  model për t’u ndjekur, për më keq te një pjesë e madhe e popullatës është sinonim i varfërisë.


Go to TOP