Ndërroi jetë veterani e invalidi i UÇK-së, Remzi Aliu
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së – dega Ferizaj, njofton se është ndarë nga jeta Veterani/Invalid i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Remzi I. Aliu.
OVL-UÇK po ashtu njofton se varrimi do të bëhet, më 7 korrik 2025 (sot, e hëne), në ora 17:00, në varrezat e fsh. Greme – lagjja Karameta.
OVL-UÇK shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Aliu, bashkëluftëtarët dhe gjithë miqtë e tij!
“I lehtë qoftë dheu i Kosovës për ty, bashkëluftëtar!”.
Me këtë rast, edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, përmes telegramit i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Aliu, bashkëluftëtarëve, miqve e të njohurve të të ndjerit.
Në telegram thuhet: Me dhembje e pikëllim të thellë, morëm lajmin për ndarjen nga jeta të luftëtarit nga të parët në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjarit të Dëshmorit të Kombit, Ismet Aliu, invalidit të UÇK-së, bashkëqytetarit tonë Remzi Aliu.
” Vepra e kontributi i tij për lirinë e Kosovës do të mbeten përjetësisht të skalitura në kujtesën e historinë tonë të çlirimit. Ngushëllime të sinqerta familjes Aliu, bashkëluftëtarëve, miqve e të njohurve të të ndjerit” mbyllet telegrami i ngushëllimit. /Kosova.info/
