Muller flet për të ardhmen: Nuk do të kundërshtoja të luaja me Messin

Thomas Muller po përgatitet të mbyllë një kapitull të madh në karrierën e tij pas 25 vitesh të lavdishme me Bayern Munich.

Sulmuesi gjerman pritet të largohet nga gjigantët bavarezë pas përfundimit të Kupës së Botës për Klube, duke mbyllur një epokë të mbushur me trofe dhe plotë emocione.

Por çfarë do të ndodhë më pas? Vetë 35-vjeçari e pranon se ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.

Në një intervistë për “DAZN”, Muller lë gjithçka të hapur. “Në përgjithësi, duke parë gjendjen time fizike aktuale, do të doja të vazhdoja të luaja, sepse futbolli është argëtim i pastër. Por ndoshta edhe do të ndalem. Nuk i bëj presion vetes. Gjithçka është ende e mundur”, tha ai.

Një nga opsionet që përflitet është një transferim te Inter Miami, ku do të ribashkohej me Lionel Messin. Edhe pse nuk ka kontakte konkrete deri tani, ideja nuk është aspak e përjashtuar.

“Në parim nuk do të kundërshtoja të luaja me Messin, por për momentin nuk kam kontakt të drejtpërdrejtë me Miamin”, theksoi Muller.

Megjithatë, nëse do të zgjedhë të vijojë karrierën në një klub tjetër, Muller ka një kërkesë të qartë.

“E gjithë paketa duhet të jetë e duhura. Çfarë do të thotë kjo? Të zbulosh diçka të re. Vendet më të largëta ose ekzotike kanë një avantazh ndaj ligës vendase”, pohoi ai.

Go to TOP