Bajrami: “Kompromisi” i Kurtit është shkelje flagrante e Kushtetutës, jo zgjidhje politike
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, pas takimit me liderët politikë, që pasoi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për përmbylljen e seancës konstituive brenda afatit 30-ditor.
Sipas Bajramit, në më shumë se tre orë diskutime, i vetmi “kompromis” i ofruar nga Kurti ishin dy skenarë të papranueshëm që, sipas saj, përbëjnë shkelje flagrante të rendit kushtetues:
“1. Propozoni anëtarët në Komisionin për votim të fshehtë, që më pas t’i rrëzojmë me votë;
2. Shkojmë me votim të hapur nëse ju ma votoni Albulenën”, tha Bajrami.
Ajo e konsideroi këtë qasje si pazare të papranueshme politike, që shkojnë në kundërshtim me frymën e demokracisë dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Ky nuk është kompromis, është shkelje flagrante e rendit kushtetues. Demokracia nuk funksionon me pazare të fshehta, por me respekt të plotë të Kushtetutës,” theksoi deputetja e LDK-së.
Bajrami shtoi se mënyra e vetme për të konstituuar Kuvendin në përputhje me normat kushtetuese është përmes marrëveshjes politike ose gjetjes së një figure konsensuale për kryetar të Kuvendit – qasje që, sipas saj, do të duhej të përfaqësonte vërtet kompromisin e Lëvizjes Vetëvendosje. /Kosova.info/
