IPK: Policia menaxhoi në mënyrë profesionale aktivitetet e “Vidovdanit” në Graçanicë dhe Gazimestan
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), në përputhje me mandatin e tij për mbikëqyrje të pavarur të veprimeve të Policisë së Kosovës, ka zhvilluar sot një operacion monitorues në dy lokacionet kryesore ku janë mbajtur aktivitetet e komunitetit serb me rastin e manifestimit të “Vidovdanit”, në Graçanicë dhe Gazimestan.
Ekipet e IPK-së kanë qenë të pranishme në terren që nga orët e hershme të mëngjesit duke monitoruar nga afër menaxhimin e rendit publik dhe zbatimin e planit operativ të Policisë së Kosovës gjatë gjithë kohës së mbajtjes së manifestimeve.
Sipas raportit të publikuar nga IPK, gjatë vëzhgimeve nuk janë identifikuar parregullsi apo sjellje të papërshtatshme nga ana e zyrtarëve policorë. Sjellja e tyre është vlerësuar si profesionale dhe në përputhje me standardet e sjelljes policore dhe të drejtave të njeriut.
Po ashtu, IPK ka vlerësuar si të mirë-strukturuar dhe të zbatuar në mënyrë efektive planin operativ të Policisë së Kosovës, i cili ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike gjatë gjithë manifestimit.
Inspektorati thekson se do të vazhdojë të ushtrojë funksionin e tij në mënyrë të pavarur dhe të paanshme duke mbikëqyrur dhe hetuar çdo veprim të mundshëm të paligjshëm apo joprofesional nga ana e zyrtarëve policorë, në funksion të llogaridhënies, transparencës dhe mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve në Republikën e Kosovës. /Kosova.info/
