​Anijet pranë Ngushticës së Hormuzit dërgojnë mesazhe të pazakonta për ditë të tëra

Anijet pranë Ngushticës së Hormuzit kanë transmetuar mesazhe të pazakonta në një përpjekje për të shmangur sulmet, ndërsa mbeten dyshime mbi një armëpushim midis Izraelit dhe Iranit.

Sinjalet e pazakonta janë përdorur që nga shpërthimi i konfliktit midis Izraelit dhe Iranit në fillim të këtij muaji.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump, ndërmjetësoi një armëpushim që i dha fund luftës dymbëdhjetë ditore. Megjithatë, Qendra e Përbashkët e Informacionit Detar (JMIC) paralajmëron se kërcënimi detar mbetet i lartë.

“Perceptimi midis pronarëve të anijeve është se për shkak të natyrës së ndërlikuar të transportit detar, është e vështirë të dihet ose të përcaktohet qartë zinxhiri i pronësisë ndaj kombësive që mund të jenë nën kërcënim më të madh në transportin detar, siç janë britanikët, amerikanët ose izraelitët”, tha Ami Daniel, drejtoresha ekzekutive e Windward.

Windward tha se pesëdhjetepesë anije dërguan njëqindenjë mesazhe atipike nëpër Gjirin Persik dhe Detin e Kuq nga data dymbëdhjetë deri më njëzetekatër qershor. Disa nga mesazhet lexonin “në pronësi kineze” dhe “naftë bruto ruse”, pasi anijet nga këto vende kanë më pak gjasa të jenë në shënjestër.

Trafiku detar tregtar u rrit tridhjetë për qind, një ditë pas armëpushimit, sipas JMIC. Rreth një e pesta e konsumit botëror të karburantit dhe naftës kalon nëpër Ngushticën e Hormuzit. Anijet zakonisht transmetojnë destinacionet e tyre. Herë pas here, anijet dërgojnë edhe mesazhe të tilla si “roje të armatosura në bord” për të penguar piratët ose sulme të tjera.

“Para dymbëdhjetë qershorit, mesazhet e pazakonta shiheshin vetëm në Detin e Kuq. Unë nuk i kam parë kurrë në Gjirin Persik”, vuri në dukje Daniel.

Deti i Kuq ka qenë në qendër të një serie sulmesh të rebelëve Houthi që nga shpërthimi i luftës në Gaza.

Anija kontejnerësh me flamur panamez Yuan Xiang Fa Zhan, që lundronte drejt Pakistanit, transmetoi sinjalin “Porti i Karaçit – të gjithë kinezë” ndërsa kalonte më njëzetegjashtë qershor nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Super-tankeri me flamur kinez Yuan Yang Hu transmetoi sinjalin “Anije kineze” po më njëzetegjashtë qershor, ndërsa kalonte nëpër Ngushticën e Hormuzit. Ajo po transportonte naftë bruto nga Arabia Saudite në Kinë. Sinjali ndryshoi në “CN NBG”, kodi për portin kinez të Ningbo-Zhoushan, pasi anija u largua nga ngushtica.

Anija kontejnerësh me flamur të Singaporit Kota Cabar sinjalizoi “anije jo në kontakt me Izraelin” ndërsa kalonte nëpër Detin e Kuq.

JMIC paralajmëroi gjithashtu për ndërhyrje elektronike në rajon që po ndikojnë në Sistemin Global të Navigacionit Satelitor. Ndërprerja e këtij sistemi mund të shkaktojë që anijet të devijojnë nga kursi, duke rritur rrezikun e përplasjeve me anije të tjera ose pengesa.


Go to TOP