​Emetimet e karbonit të Google rriten për 51%

Emetimet e karbonit nga Google janë rritur me 51% që nga viti 2019, pasi inteligjenca artificiale po pengon përpjekjet e kompanisë teknologjike për të kaluar në energji të pastër, raporton The Guardian.

Ndërsa korporata ka investuar në energji të rinovueshme dhe teknologji për heqjen e karbonit, ajo ka dështuar të frenojë emetimet e saj të kategorisë 3, që janë ato më poshtë në zinxhirin e furnizimit dhe që ndikohen në masë të madhe nga rritja e kapacitetit të qendrave të të dhënave të nevojshme për fuqizimin e inteligjencës artificiale.

Kompania raportoi një rritje prej 27% në konsumimin vjetor të energjisë elektrike, pasi po has vështirësi të dekarbonizohet aq shpejt sa po rriten nevojat e saj për energji.

Qendrat e të dhënave luajnë një rol kyç në trajnimin dhe funksionimin e modeleve që qëndrojnë pas inteligjencës artificiale si Gemini i Google dhe GPT-4 i OpenAI, që fuqizon chatbot-in ChatGPT.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë vlerëson se konsumi total i energjisë elektrike nga qendrat e të dhënave mund të dyfishohet nga niveli i vitit 2022 në 1,000 TWh (teravat-orë) në vitin 2026, afërsisht sa kërkesa e Japonisë për energji elektrike.

Sipas llogaritjeve të firmës kërkimore SemiAnalysis, inteligjenca artificiale do të çojë që qendrat e të dhënave të përdorin 4.5% të prodhimit global të energjisë deri në vitin 2030.

Raporti gjithashtu shpreh shqetësim se evoluimi i shpejtë i inteligjencës artificiale mund të shkaktojë “rritje jolineare në kërkesën për energji”, duke e bërë më të vështirë parashikimin e nevojave të ardhshme për energji dhe trajektores së emetimeve.

Një tjetër çështje që Google e thekson është mungesa e përparimit në format e reja të prodhimit të energjisë me pak karbon.

Reaktorët e Vegjël Modularë (SMR), centrale bërthamore në miniaturë që supozohet se ndërtohen dhe lidhen lehtësisht në rrjet, janë përshëndetur si një mënyrë për të dekarbonizuar qendrat e të dhënave.

Kishte shpresa se zonat me shumë qendra të të dhënave mund të kishin një ose më shumë SMR dhe kjo do të zvogëlonte gjurmën e madhe të karbonit nga energjia elektrike që përdorin këto qendra, të cilat janë gjithnjë e më të kërkuara për shkak të përdorimit të inteligjencës artificiale.

Raporti tha se këto janë jashtë afatit: “Një sfidë kryesore është shpërndarja më e ngadaltë se ç’është e nevojshme e teknologjive të energjisë pa karbon në shkallë të gjerë, dhe arritja e këtij qëllimi deri në vitin 2030 do të jetë shumë e vështirë.

Ndërsa vazhdojmë të investojmë në teknologji premtuese si energjia gjeotermale e avancuar dhe SMR-të, përdorimi i tyre në shkallë të gjerë nuk është arritur ende sepse janë në fazë të hershme, relativisht të kushtueshme dhe të pamotivuar mirë nga struktura aktuale rregullatore.”

Raporti shton se kategoria 3 mbetet një “sfidë”, pasi emetimet totale të Google bazuar në objektivat e saj ishin 11.5 milionë tonë gazra ekuivalent-diosksidi karboni, që përfaqësojnë një rritje vjetore prej 11% dhe një rritje prej 51% krahasuar me vitin bazë 2019.

Kjo u “nxit kryesisht nga rritja e emetimeve në zinxhirin e furnizimit” dhe emetimet e kategorisë 3 u rritën me 22% në vitin 2024.

Google po garon për të blerë energji të pastër për të furnizuar sistemet e saj dhe që nga viti 2010, kompania ka nënshkruar mbi 170 marrëveshje për të blerë më shumë se 22 gigavat energji të pastër.

Në vitin 2024, 25 prej tyre dolën në funksion duke shtuar 2.5 GW energji të re të pastër për operacionet e saj.

Ishte gjithashtu një vit rekord për marrëveshjet e energjisë së pastër, me kompaninë që nënshkroi kontrata për 8 GW.

Kompania ka përmbushur një nga objektivat e saj mjedisorë para kohe: eliminimin e paketimit plastik.

Google njoftoi sot se paketimi për produktet e reja të lansuar dhe prodhuar në vitin 2024 ishte 100% pa plastikë.

Qëllimi ishte të arrihej kjo deri në fund të vitit 2025.

Në raport, kompania gjithashtu tha se inteligjenca artificiale mund të ketë një “potencial neto pozitiv” për klimën, sepse shpreson që reduktimet e emetimeve të mundësuara nga aplikacionet e saj të jenë më të mëdha se emetimet që gjenerohen nga vetë inteligjenca artificiale, përfshirë konsumin e saj të energjisë nga qendrat e të dhënave.

Google synon të ndihmojë individët, qytetet dhe partnerë të tjerë që së bashku të reduktojnë 1 GT (gigaton) të emetimeve të tyre ekuivalente-karboni në vit deri në vitin 2030 duke përdorur produktet e saj të inteligjencës artificiale.

Këto, për shembull, mund të ndihmojnë në parashikimin e përdorimit të energjisë dhe kështu të reduktojnë shpërdorimin, si dhe të hartojnë potencialin diellor të ndërtesave që panelet të vendosen në vendin e duhur dhe të gjenerojnë maksimumin e energjisë elektrike.

https://www.theguardian.com/technology/2025/jun/27/google-emissions-ai-electricity-demand-derail-efforts-green


Go to TOP