Kajtazi reagon ndaj akuzave të Afiz Krasniqit: Ose më burgosni, ose le të sjellë provat
Eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Afiz Krasniqit, një mërgimtar nga Prizreni që jeton në Zvicër, i cili sipas Kajtazit, ka shpërndarë akuza se ai dhe bashkëshortja e tij punojnë për shërbimin sekret serb – UDB.
Në një reagim ironik dhe sfidues, Kajtazi ka bërë thirrje publike institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë që të veprojnë ndaj këtyre pretendimeve.
“Ky Afiz Krasniqi nga Prizreni, i rreknisur në Zvicër, po e dika që unë dhe gruaja ime punojmë për UDB. I ftoj organet e sigurisë dhe të drejtësisë që sapo ky Afizi të shkelë tokën e Kosovës, të merret në pyetje që të ofrojë informacione për mua dhe gruan time. Gjithashtu, organet zbatuese të ligjit duhet të më arrestojnë mua dhe gruan time derisa të vijë Afizi për t’i sjellë provat,” shkroi Kajtazi.
Ai përfundon reagimin e tij me një mesazh të fortë: “Epilogu: Ose unë dhe gruaja ime duhet të kalbemi në burg për tradhti ndaj vendit, ose Afizi ka për t’i pjellë provat. Shihemi Afiz!”
Reagimi i Kajtazit vjen si kundërpërgjigje ndaj një fenomeni gjithnjë e më të shpeshtë në rrjete sociale, ku shpeshherë publikohen akuza të pabazuara që prekin figura publike dhe profesionale pa ndonjë verifikim zyrtar. Ai kërkon që institucionet të marrin masa ndaj shpifjeve të tilla, të cilat dëmtojnë imazhin dhe dinjitetin e individëve, por edhe të sigurisë institucionale në vend. /Kosova.info/
