Mos formimi i Kuvendit, Murati e Bajrami përplasen në rrjetet sociale
Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës janë përplasur sot në rrjetet sociale mbi ngërçin politik që ka kapluar vendin si pasojë e mos konstituimit të legjislaturës së nëntë, për shkak të mungesës votave për Albulena Haxhiun.
Kjo e fundit është propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa për kryetare të re të Kuvendit, por tash e tridhjeteshtatë herë nuk po gjen numrat e nevojshme për të siguruar këtë post.
Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Hykmete Bajrami ka reaguar ndaj deklarimeve të Lëvizjes Vetëvendosje për bashkëqeverisje në të ardhmen.
“Shihni hipokrizinë e Hekuran Muratit. I paska quajtur partitë shqiptare parlamentare bashkëpunëtore të Listës Serbe, ndërkohë që njërës prej tyre – LDK-së pesë herë në ditë i çojnë fjalë: “A po vjen të bashkëqeverisësh”. Në anën tjetër, Qeveria e Lëvizjes Vetëvendosje e ka pasur një shans të artë për ta shpallur Listën Serbe organizatë terroriste pas sulmit në Banjskë ku ra dëshmor Afrim Bunjaku, por nuk e ka bërë një gjë të tillë, sepse të gjithëve na kujtohen incizimet e shefes së grupit, Mimoza Kusari, duke u koordinuar për pagat e veteranëve me Listën Serbe “Allo brate”.
Dhe e fundit, tashmë të gjithë e kanë të qartë se sa herë që i vjen erë korrupsion krejt Lëvizjes Vetëvendosje, ata provojnë të luajnë ”patriotin”, kinse të tjerët janë me Serbinë.
Tregona Hekuran, si ndodhi që në qeverinë tuaj EFT-ja e Vuk Hamoviq i monopolizoi linjat e transmetimit të energjisë: Mal i Zi – Kosovë, Maqedoni e Veriut – Kosovë, dhe anasjelltas? Dhe si ka mundësi që Kosova ka paguar deri në 798,32 euro për transportin një MWH energji elektrike? The floor is yours, “patriot”.
Ministri në detyrë i Financave Hekuran Murati iu është kundërpërgjigjur ish-ministres Hykmete Bajrami.
“E vërtetë që ju kemi dërguar ftesë për koalicion, ama me kusht që vini pa PDK-në e pa Listën Serbe. Por ju po insistoni që ose në koalicion edhe me ta, ose nuk vini hiç. Qysh po shihet, s’ka kush që ju ‘çkap’ prej tyre. Deri më tani vetëm Lëvizja Vetëvendosje është deklaruar për përcaktimin që për postin e nënkryetarit të Kuvendit, që sipas Kushtetutës duhet të vijë nga komuniteti serb, të zgjidhet dikush që nuk vjen nga Lista Serbe.
Gjithashtu, ne i kemi ftuar edhe partitë tjera PDK/LDK/AAK që të na bashkohen në këtë nismë, pra për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb ta zgjedhim dikë që nuk vjen nga Lista Serbe. Por deri më tani nuk kemi pranuar ndonjë përgjigje pozitive nga PDK/LDK/AAK për këtë çështje.
Besoj që qëndrimi për temën e nënkryetarit e tregon më së miri se cilat parti ende presin dhe shpresojnë për bashkëpunim me Listën Serbe, e ato janë PDK/LDK/AAK.”
