Arrestohet një person në Prishtinë për falsifikim të parasë, sekuestrohen mijëra euro dhe pajisje të dyshimta

Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës, ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “Falsifikimi i parasë”, në bazë të nenit 296 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I dyshuari, me inicialet L.A., është arrestuar pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore të koordinuara, me qëllim të luftimit të krimit ekonomik dhe korrupsionit.

Gjatë realizimit të kontrollit, autoritetet kanë sekuestruar një sasi të konsiderueshme provash që lidhen me veprën penale, përfshirë:

123 fletë formati A4 me fotokopje të kartëmonedhave prej 10€ dhe 20€;

12 fletë A4 të prera me qëllim përgatitjeje të kartëmonedhave të falsifikuara;

1 telefon i llojit iPhone dhe

Shuma të ndryshme kartëmonedhash në prerje të ndryshme, në total 4,796.40 euro.

Ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit do të parashtrojë kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj tij.

Prokuroria ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit ekonomik dhe korrupsionit, dhe se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për parandalimin dhe ndjekjen e këtyre veprave penale. /Kosova.info/

Go to TOP