“Prishtina Downhill Cup 2025”: Kryeqyteti në majën e sporteve ekstreme
Prishtina ka shënuar një tjetër sukses në kalendarin e saj sportiv me organizimin e “Prishtina Downhill Cup 2025”, një ngjarje madhore që solli adrenalinë dhe pasion për sportet ekstreme në zemër të kryeqytetit.
Me mbështetjen e Kryetarit Përparim Rama dhe Drejtorisë për Sport, kjo garë u kthye në një festë të vërtetë për të gjithë dashamirët e biçikletave malore dhe aventurës. Organizimi i kësaj gare jo vetëm që promovoi një stil të shëndetshëm jetese dhe aktivizëm qytetar, por gjithashtu e vendosi Prishtinën në hartën e destinacioneve rajonale për sportet ekstreme dhe urbane.
“Ky aktivitet dëshmon përkushtimin tonë për të ndërtuar një Prishtinë që frymëzon, që aktivizon dhe që promovon vlerat e një jete dinamike dhe të gjallë sportive,” tha Kryetari Rama gjatë hapjes së garës.
Me një pjesëmarrje të gjerë nga sportistë vendas dhe ndërkombëtarë, “Prishtina Downhill Cup” u prit me entuziazëm të madh nga publiku dhe mediat, duke rritur më tej imazhin e qytetit si një qendër e rëndësishme për ngjarje sportive me profil të lartë.
Prishtina vazhdon të ndërtojë identitetin e saj si një kryeqytet i gjallë, ku sporti, qytetaria aktive dhe kultura urbane ndërthuren për të krijuar një ambient frymëzues për të gjithë. /Kosova.info/
