​Në Ditën Ndërkombëtare, kërkohet drejtësi për viktimat e dhunës seksuale

Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kujtuar një nga plagët më të rënda të luftës në Kosovë – përdorimin sistematik të dhunës seksuale nga forcat serbe si mjet lufte.

“Është një krim i rëndë, një mjet lufte që Serbia e ka përdorur gjatë periudhës së luftës dhe në këtë drejtim, sipas raporteve vendore dhe ndërkombëtare, është konsideruar që rreth 20 mijë persona janë dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë”, deklaroi Haxhiu.

Ajo shtoi se institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë hapa konkretë për adresimin e krimeve të luftës, përfshirë themelimin e Institutit për Krimet e Luftës, forcimin e kapaciteteve të Prokurorisë Speciale, si dhe mundësimin e gjykimeve në mungesë – për shkak të refuzimit të Serbisë për të ekstraduar kriminelët e luftës.

Në këtë ditë përkujtimore, kryeshefja e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia, theksoi rëndësinë e kujtesës kolektive dhe rolin e Kosovës si një model global për trajtimin administrativ dhe institucional të të mbijetuarave të dhunës seksuale.

“Kosova jep një kontribut të veçantë në respektimin e memories kolektive. Mbi 1,700 të mbijetuarve tashmë u është njohur statusi. Ne ngrisim zërin për të gjitha ato dhunime që po ndodhin aktualisht si mjet lufte në vatrat e konflikteve në botë. Bëjmë thirrje të gjithë liderëve botërorë që të ndalojnë përdorimin e dhunës seksuale si armë lufte,” tha Gusia.

Ndërkohë, kryeministri në detyrë Albin Kurti bëri homazhe në parkun memorial “Heroinat”, por nuk u prononcua për media lidhur me këtë ditë.

Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt shënohet më 19 qershor dhe synon të rrisë ndërgjegjësimin për këtë krim të rëndë që prek mijëra viktima në mbarë botën. /Kosova.info/

Go to TOP