Kosova e Serbia t’i zgjidhin çështjet me dialog
Në një intervistë në RTK Prime, ambasadorët e Francës dhe Gjermanisë diskutuan për sigurinë në rajon dhe situatën në Kosovë. I pyetur nëse Kosova duhet të jetë e shqetësuar dhe nëse ka indikacione për ndonjë tension eventual në rajon, përfshirë edhe Kosovën, diplomati francez i akredituar në Kosovë tha se situata, sidomos në veri të Kosovës, është e qetë aktualisht, por e brishtë, siç e deklaron, sipas tij, KFOR-i.
“Të gjithë e dimë si është sfondi politik, është një çështje afatgjatë tashmë. Kemi qenë dëshmitarë në vitet e fundit, sidomos në vitin 2023, situata shumë të rënda, me humbjen e jetës së një zyrtari policor, Afrim Bunjakut, e vitin e kaluar edhe sulmi me bombë në kanalin e Ibër Lepencit. Nuk është se situata ka qenë krejtësisht e qetë, paqësore. Mesazhi, për të gjithë liderët e gjithë rajonit: Mënyra për të zgjidhur çështjet e mbetura dhe ka shumë të tilla, është vetëm përmes dialogut. Fatmirësisht që Kosova nuk është në atë nivel të tensioneve, sigurisht ka qenë lufta para 26 vitesh. Edhe për Kosovën e Serbinë e njëjta gjë, me dialog me negociata, ky është mesazhi themelor,” tha ai.
Ndërkohë, i pyetur edhe ambasadori gjerman nëse Kosova ka arsye të jetë e shqetësuar se mund të preket në aspektin e sigurisë, ai tha:
“Tashmë kemi kaluar 20 minuta duke folur për tri luftëra, konflikte ushtarake, Iran-Izrael, Ukrainë-Rusi e pastaj Rripi i Gazës. Situata midis Kosovës e Serbisë është shumë larg nga ky nivel, të dyja vendet duan të hyjnë në organizatën e njëjtë që është BE-ja. Shtegu drejt normalizimit është krejt i qartë dhe kur flasim për këto tri konflikte të mëdha është e qartë për mua që ajo çka na duhet nga ky rajon është thjesht lajme të mira, të mos ketë bllokada politike, ekonomike e të tjera,” deklaroi Rohde në RTK Prime.
