Behrami: Kurti ia kishte hequr kushtet Serbisë, sot ia vendosi SHBA-së

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, pas deklaratës së ish-Presidentit amerikan Donald Trump duke e akuzuar për sjellje vetëshkatërruese dhe për përpjekje që të largojë SHBA-në nga Kosova.

Sipas Behramit, për dallim nga e kaluara kur çdo hap politik dhe ushtarak në Kosovë ndërtohej me koordinim të ngushtë me Uashingtonin, sot vendi po përballet me një logjikë izolimi dhe sabotimi të aleatëve strategjikë. Ai vlerëson se Kurti, për shkak të frikës personale, po kushtëzon partnerët ndërkombëtarë në vend të bashkëpunimit me ta.

“Çfarë bën Kurti pas deklaratës së Trump? I vendos kushte Amerikës! Kërkon dorëzimin e Radoiçiqit, të cilin vetë e kishte amnistuar. Kërkon nënshkrime, garanci, vula, e së shpejti ndoshta edhe noter për Marrëveshjen e Ohrit,” shkroi Behrami.

Ai e akuzon Kurtin për mungesë vizioni dhe guximi, ndërsa e konsideron zvarritjen e formimit të institucioneve si përpjekje për të mbajtur pushtetin përmes krijimit të një atmosfere paniku.

“Kur nuk ke vizion, e përdor frikën. Kur nuk ke guxim, e zëvendëson me sabotim. Por frika e Kurtit nuk është frika e Kosovës. Kosova është projekt i guximit dhe i aleancës me SHBA-në e NATO-n.”

Në përmbyllje të reagimit të tij, Behrami thekson se Kosova nuk është projekt i viktimizimit, por i fitoreve të përbashkëta me aleatët, dhe i bën thirrje që politika të mos udhëhiqet nga paranoja dhe doktrina serbe e viktimizimit.

“Nëse Kurti ka zgjedhur këtë rrugë, kjo nuk është rruga e Kosovës,” përfundon Behrami.

Go to TOP