Çitaku: Kurti ka djegur çdo urë me Uashingtonin, Kosovës i duhet një qeveri që shihet si partnere, jo si problem

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar ashpër qasjen e Kryeministrit Albin Kurti ndaj marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke theksuar se dëmtimi i raporteve me Uashingtonin ka ndodhur përtej administratës Trump dhe përfshin edhe kohën kur në Shtëpinë e Bardhë ishte presidenti Joe Biden.

“Jo vetëm në katër vjetët e fundit, por në vazhdimësi natyra e raportit mes Kosovës dhe Uashingtonit nuk është diktuar nga personi që ka qenë në Shtëpinë e Bardhë, por nga personat që kanë udhëhequr Kosovën. Fatkeqësisht, zotëri Kurti ka djegur çdo urë bashkëpunimi me Uashingtonin zyrtar, jo vetëm me administratën Trump”, u shpreh Çitaku.

Ajo kujtoi se edhe presidenti aktual amerikan, Joe Biden, ka qenë një mik i madh i Kosovës, por që sipas saj, edhe atëherë marrëdhëniet nuk kanë qenë në nivelin e duhur për shkak të qasjes së qeverisë së Kurtit.

“Kosova ka nevojë për një qeveri të përgjegjshme, e cila di të krijojë miq, di të ndërtojë ura bashkëpunimi dhe që në Shtëpinë e Bardhë, Bruksel dhe qendra të tjera të vendimmarrjes imponohet dhe trajtohet jo si problem, por si partnere dhe si zgjidhje,” përfundoi ajo.

Kujtojmë se një diplomat amerikan duke folur për zhvillimet në rajon, ka theksuar se nuk jemi më në vitet e nëntëdhjeta dhe se bashkësia ndërkombëtare është e përballur me çështje të shumta globale duke lënë të kuptohet se Kosova nuk duhet të llogarisë në një përkushtim të njëanshëm pa përmbushur përgjegjësitë e saj. /Kosova.info/


Go to TOP