Kuçi: OKB-ja legjitimoi BE-në dhe tejkaloi Rezolutën 1244 pas opinionit të GJND-së për Kosovën

Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), si organi më i lartë juridik i Kombeve të Bashkuara, konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Ky opinion këshillues, i kërkuar nga vetë Serbia, përbën vendimin më të rëndësishëm juridik në raport me statusin e Kosovës dhe i dha fund spekulimeve rreth ligjshmërisë së aktit të shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008.

Në vazhdim të këtij zhvillimi, më 9 shtator 2010, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën A/RES/64/298. Kjo rezolutë:

Pranon opinionin e GJND-së dhe thekson se shpallja e pavarësisë nga Kosova nuk shkel të drejtën ndërkombëtare;

Mirëpret angazhimin e Bashkimit Evropian për ndërmjetësimin e dialogut Kosovë–Serbi;

Fton palët të angazhohen për çështje praktike dhe për stabilitetin rajonal.

Këto zhvillime, sipas Gurakuç Kuçi, Hulumtuesi i Lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”, shënuan transferimin zyrtar të procesit të dialogut nga një forum global (OKB) te një organizatë rajonale – Bashkimi Evropian – në përputhje me Kapitullin VIII të Kartës së Kombeve të Bashkuara, që i lejon organizatat rajonale të kontribuojnë në ruajtjen e paqes.

“Që nga ajo kohë, dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja nuk ka qenë zëvendësim i arkitekturës ndërkombëtare, por pjesë përbërëse e saj me legjitimitet të plotë nga vetë OKB-ja”, thekson Kuçi.

Ai e konsideron pretendimin e fundit të David Stokinger, i cili ka kërkuar që dialogu të “kthehet në OKB” me arsyetimin se “Rezoluta 1244 është baza”, si të tejkaluar dhe në kundërshtim me realitetin aktual juridik dhe diplomatik. “Nëse do të kishte ndjekur zhvillimet në të drejtën ndërkombëtare, do ta dinte se vetë OKB-ja ka tejkaluar Rezolutën 1244 përmes gjykimit të GJND-së dhe përkrahjes për rolin e BE-së”, thotë Kuçi.

Ai gjithashtu kritikon etiketimin e Kosovës si “projekt i Perëndimit” duke theksuar se shtetësia e saj bazohet në parimin e vetëvendosjes dhe ndërhyrjes humanitare për të ndalur gjenocidin, dhe jo në ndonjë projekt të jashtëm politik.

“Qasja e tij është një keqlexim i thellë juridik dhe etik. Në vend se të mbështetet në vendimet e organeve të OKB-së, ai i injoron ato duke u bërë zë i narrativave politike që synojnë ta mbajnë Ballkanin peng të së kaluarës. Dhe kjo është paradoksale për dikë që flet në emër të paqes”, përfundon Gurakuç Kuçi.

Ai e fton publikisht z. Stokinger në një debat të hapur mbi bazat e së drejtës ndërkombëtare dhe zhvillimet reale pas opinionit të GJND-së, nëse ka vullnet të ballafaqohet me fakte. /Kosova.info/

Go to TOP