KOMF: Puna e rrezikshme shkatërron fëmijërinë

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, në partneritet me Terre des hommes në Kosovë ka organizuar instalacionin ndërgjegjësues “Puna e rrezikshme shkatërron fëmijërinë”, me rastin e Ditës Botërore kundër Punës së Rëndë të Fëmijëve.

Instalacioni kishte për qëllim ndërgjegjësimin e publikut për format e rënda të punës së fëmijëve dhe pasojat shkatërruese që ato sjellin në shëndetin dhe mirëqenien e tyre, si dhe të nxisë përgjegjësi institucionale, për të rritur vëmendjen dhe ndërmarrë veprime konkrete në drejtim të eliminimit të formave të rënda të punës së fëmijëve në Kosovë.

Fëmijët e përfshirë në punë të rrezikshme në Kosovë u ekspozohen një sërë rreziqesh për jetën, shëndetin fizik dhe mendor dhe formave të ndryshme të shkeljes së të drejtave të fëmijës, përfshirë: neglizhimin, abuzimin, mungesën e qasjes në arsim dhe rrezikut të abuzimit seksual dhe/ose trafikimit.

Udhëzimi Administrativ për parandalimin dhe ndalimin e formave të rrezikshme të punës së fëmijëve në Kosovë përcakton listën e formave të rrezikshme të punës së fëmijëve, ku ndër to rradhiten: puna në ndërtimtari, puna në deponi të mbeturinave, puna në rrugë, puna në bujqësi dhe pylltari, etj.

Çdo person ka obligim ligjor për të raportuar çdo informatë të pranuar në lidhje me dyshimin se një fëmijë është përfshirë në forma të rrezikshme të punës. Identifikimin dhe referimin mund ta bëjë edhe fëmija për fëmijën, si dhe fëmija për vetveten.

Çdo person që identifikon një fëmijë që është në rrezik apo është viktimë e përfshirjes në njërën prej formave të rrezikshme të punës, duhet të njoftojë Policinë apo Qendrën për Punë Sociale. /Kosova.info/

Go to TOP