​Gjermania planifikon 1.9 miliardë euro shtesë ndihmë ushtarake për Ukrainën

Gjermania po planifikon të ofrojë një miliardë e nëntëqind milionë euro shtesë ndihmë ushtarake për Ukrainën, njoftoi sot ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius.

Ai gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Kiev tha se ndihma shtesë do të vihen në dispozicion në javët dhe muajt e ardhshëm, pasi vendimi të jetë marrë në Parlament.

“Mund të them se Gjermania filloi këtë vit me plane për të ofruar katër miliardë euro në mbështetje për Ukrainën. Ne e kemi rritur këtë në shtatë miliardë euro gjatë muajve të fundit,” tha Pistorius.

Pistorius njoftoi gjithashtu se Gjermania dhe Ukraina do të forcojnë bashkëpunimin e tyre në industrinë e mbrojtjes, me Berlinin që bashkëfinancon prodhimin e sistemeve të raketave me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë dhe se sistemet e para pritet të jenë funksionale në muajt e ardhshëm.

“Jemi thellësisht të bindur se është detyrë e evropianëve të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën. Kjo nuk është vetëm lufta mbrojtëse e Ukrainës kundër Rusisë. Kjo është një betejë mbrojtëse që Ukraina po zhvillon për liri, siguri dhe paqe në Evropë në tërësi”, tha ai.

Go to TOP