Turneu Ndërkombëtar Përkujtimor ‘Xhevat Makolli’ Bashkon garues nga rajoni në Prishtinë

Në Palestrën e Sporteve “1 Tetori” në Prishtinë u mbajt turneu ndërkombëtar përkujtimor në nderim të ish-karateistit të njohur kosovar, Xhevat Makolli, organizuar nga Federata e Karatesë e Kosovës (FKK).

Turneu mblodhi 210 garues – 111 meshkuj dhe 99 femra – me gjithsej 248 paraqitje në disiplina individuale (kata dhe kumite), si dhe në kategorinë absolute (Open kumite) për kadetë, juniorë dhe seniorë, me 31 garues gjithsej. Në këtë ngjarje morën pjesë klube nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke i dhënë një karakter ndërkombëtar aktivitetit sportiv dhe përkujtimor.

Kryetari i FKK-së, Besart Baruti, përshëndeti pjesëmarrësit dhe të ftuarit e nderit, duke përfshirë familjen Makolli, kryetarin e nderit të KOK-ut Besim Hasani, ish-kryetarin e FKK-së Nezir Rama, gjeneralin dhe deputetin Hisen Berisha, si dhe përfaqësues të klubeve nga Shqipëria dhe rajoni. Në fjalën e tij, Baruti vlerësoi jetën dhe veprën e Xhevat Makollit si një kontribut të madh për zhvillimin e sportit, jo vetëm në karate por edhe në kick boks.

Në emër të familjes, Fatmir Makolli, vëllai i të ndjerit dhe aktualisht kryetar i Federatës së Kick Boksit, falënderoi të gjithë të pranishmit dhe theksoi rëndësinë e organizimit të këtij turneu që çdo vit nderon figurën dhe trashëgiminë e Xhevat Makollit.

Një fjalim të veçantë mbajti edhe gjenerali dhe deputeti Hisen Berisha, i cili theksoi se jemi mbledhur jo vetëm për një garë sportive, por për të nderuar një jetë dhe një vepër që mishëron trimërinë, edukatën dhe sakrificën për kombin. Ai u nderua me mirënjohje nga FKK-ja, ndarë nga sekretari i përgjithshëm Nazmi Gashi.

Fjalë përshëndetëse mbajtën edhe kryetari i nderit i KOK-ut, Besim Hasani, dhe ish-kryetari i FKK-së, Nezir Rama, të cilët kujtuan kontributin e madh të Xhevatit si kampion, trajner dhe themelues i klubit të parë të karatesë në rajonin e Llapit – “Kosovatransi”.

Pjesë emocionale e turneut ishte paraqitja e artistit të njohur Gjon Frroku, i cili interpretoi një këngë kushtuar Xhevat Makollit, duke përcjellë emocion dhe respekt për figurën e tij si sportist dhe atdhetar.

Në fund të garës, FKK ndau mirënjohje për familjen Makolli, ndërsa për më të mirët u shpërndanë medalje, kupa, diploma dhe shpërblime monetare për kategoritë absolute.

Turneu u mbështet nga:

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komiteti Olimpik i Kosovës, Baruti Group, Loni Dekor, DEKO Solution dhe AFK – Agjencioni për Financim në Kosovë.

Go to TOP