Franca fiton medaljen e bronztë në Nations League

Franca ka fituar medaljen e bronztë në Nations League, pasi ka mposhtur Gjermaninë me rezultat 2-0 në ndeshjen për vendin e tretë, të zhvilluar në “MHPArena” të Stuttgart.

Ndonëse ndeshjet për vendin e tretë konsiderohen si ndeshje ku skuadrat nuk luftojnë aq shumë, Gjermania është paraqitur me ambicie.

Në dhjetëminutëshin e parë ka krijuar pesë raste të rrezikshme, por që janë ndalur nga ndërhyrjet vendimtare të mbrojtjes dhe portieri francez Mike Maignan.

Ndërkohë, Franca është përgjigjur me një goditje me kokë nga Loïc Badé, të cilën e ka pritur me vështirësi Marc-Andre ter Stegen.

Një moment i shumëdiskutuar ka ndodhur rreth minutës së tridhjetë kur Karim Adeyemi ka fituar një penallti pas një kontakti me Maignan. Megjithatë, pas shqyrtimit nga VAR-i, arbitri sllovak Ivan Kruzliak e ka anuluar vendimin dhe e ka ndëshkuar Adeyemi për simulim.

Gjermania ka vazhduar me sulm, duke goditur edhe shtyllën përmes Florian Wirtz, por është ndëshkuar në fundin e pjesës së parë. Në minutën e dyzet e pestë, pas një kundërsulmi të shpejtë, Aurelien Tchouameni ka asistuar Kylian Mbappe, i cili ka dribluar dhe ka shënuar për 1-0.

Në pjesën e dytë, Mbappe ka rrezikuar sërish por ka goditur rrjetën anësore. Shtatë minuta më pas, Deniz Undav ka shënuar një gol që është anuluar për faull të Fullkrug ndaj Adrien Rabiot, pas një tjetër verifikimi të VAR.

Franca ka vazhduar të tregohet e rrezikshme në kundërsulme, me Marcus Thuram që ka goditur shtyllën dhe me tentativat e rrezikshme të Mbappe që janë neutralizuar nga Ter Stegen. Por në minutën e tetëdhjetë e katërt, gjithçka është vendosur: Mbappe ka depërtuar me shpejtësi dhe ka asistuar për Michael Olise, i cili ka shënuar në portën bosh për rezultatin përfundimtar 2-0.

Me këtë fitore, Franca shton medaljen e bronztë në koleksionin e saj të Nations League, pas titullit kampion në sezonin 2020/21. Ndërkohë, Gjermania e mbyll si vendi i katërt një turne ku pritej shumë më tepër, sidomos duke qenë nikoqire e “Final Four”.

Go to TOP