Katz thotë se do ta ndalojë Thunberg-in me anijen e ndihmave për në Gaza
Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, ka kërcënuar se do të “marrë çdo masë të nevojshme” për të ndaluar një anije ndihmash, ku ndodhet edhe Greta Thunberg, që po përpiqet të arrijë në Gaza.
Aktivistja e klimës, 22 vjeçe, është me një duzinë aktivistësh që ndodhen në bordin e anijes Madleen, e cila u nis nga Sicilia, të dielën e kaluar, me misionin për të thyer bllokadën detare të Izraelit.
Aktivistët kanë deklaruar se synojnë të arrijnë në ujërat territoriale të Gazës që të dielën, për të dorëzuar ndihma humanitare.
Por në një postim në rrjetin X, ministri i mbrojtjes Israel Katz tha se ka udhëzuar Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) që të ndalojnë anijen dhe të “marrin çdo masë të nevojshme”.
Duke iu drejtuar Thunberg dhe aktivistëve të tjerë, ai tha:
“Duhet të ktheheni mbrapsht – sepse nuk do të arrini në Gaza.”
Në postimin e tij shkruhet:
“Kam urdhëruar IDF që të veprojë në mënyrë që ‘flotilja e urrejtjes’ Madleen të mos arrijë në brigjet e Gazës dhe të përdorë çdo mjet të nevojshëm për këtë qëllim.”
“Për Gretan antisemite dhe bashkëpunëtorët e saj, zëdhënës të propagandës së Hamasit, e them qartë: duhet të ktheheni mbrapsht, sepse nuk do të arrini në Gaza. Izraeli do të veprojë kundër çdo përpjekjeje për të thyer bllokadën apo për të ndihmuar organizatat terroriste, në det, në ajër dhe në tokë.”
