Real Madrid blen talentin shtatëmbëdhjetë vjeçar të Argjentinës
Real Madrid ka fituar garën për një nga talentet më të mëdhenj të futbollit argjentinas.
Gjiganti spanjoll ka arritur marrëveshje me River Plate për transferimin e mesfushorit shtatëmbëdhjetë vjeçar Franco Mastantuono, për një shumë fillestare rreth 45 milionë dollarë. Lajmin e ka konfirmuar për Reuters një zëdhënës i klubit nga Buenos Aires.
Mastantuono ka debutuar me ekipin e parë të River në janar të vitit 2024 dhe që atëherë ka lënë mbresa të mëdha në futbollin argjentinas, duke u bërë titullar nën drejtimin e Marcelo Gallardos dhe duke u shndërruar në një pjesë të rëndësishme të skuadrës.
“Transferimi është finalizuar. Janë vetëm disa detaje për t’u dakorduar”, ka thënë një burim nga klubi për Reuters, pa dhënë më shumë hollësi.
Talenti argjentinas ka qenë i kërkuar edhe nga klube të mëdha si Manchester United dhe Paris Saint-Germain, veçanërisht pas golit të tij spektakolar nga goditja e lirë në fitoren e River ndaj Boca Juniors në prill.
Ish-kapiteni legjendar i Interit, Javier Zanetti, ka folur gjithashtu për Mastantuono, duke pranuar se do të donte ta shihte me fanellën zikaltër, por një transferim i tillë është i paarritshëm për momentin.
“River ka një lojtar të ri si Mastantuono, vetëm shtatëmbëdhjetë vjeç, por luan me një personalitet sikur ka luajtur në Serie A për dhjetë vjet. Kush nuk do ta donte? Por është shumë i kushtueshëm. Është një lojtar që do i hynte në punë çdo skuadre, përfshirë Interin, por realiteti është i qartë, ai kushton shumë,” ka thënë Zanetti.
Sipas mediave argjentinase, Real Madrid planifikon ta lërë Mastantuono në huazim te River deri në fund të dhjetorit, për ta lejuar të përfundojë edicionin në Copa Libertadores.
Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, e ka thirrur për herë të parë në ekipin kombëtar për ndeshjet kualifikuese ndaj Kilit dhe Kolumbisë. Nëse paraqitet, Mastantuono do të bëhet lojtari më i ri që debuton me fanellën e kombëtares argjentinase.
