Donnarumma: E pata të vështirë të festoj fitoren ndaj bashkëkombësve të mi
Gianluigi Donnarumma ka pranuar se e kishte të vështirë ta shijonte plotësisht triumfin e Paris Saint-Germain në finalen e Champions League ndaj Inter, për shkak të shumë bashkëlojtarëve italianë që kishte përballë në atë ndeshje historike.
Portieri dhe kapiteni i Kombëtares italiane ishte kryesisht spektator në fushë gjatë finales së të shtunës në “Allianz Arena” të Munich, ku PSG fitoi bindshëm 5-0 ndaj Inter. Pas përfundimit të ndeshjes, Donnarumma u pa duke ngushëlluar lojtarët e skuadrës zikaltër.
Tash ish-portieri i Milan i është bashkuar kampit stërvitor të Italisë, ku ka rifilluar punën me bashkëlojtarët e Interit: Alessandro Bastoni, Federico Dimarco, Nicolo Barella dhe Davide Frattesi, në prag të dy ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës.
“Nuk thashë asgjë. Vetëm një përqafim i ndjerë me ata shokë pas ndeshjes dhe jam i lumtur për këtë”, ka thënë Donnarumma në konferencën për shtyp. “Ishte e vështirë për mua ta festoja fitoren në Champions League, sepse në anën tjetër ishin vëllezërit e mi, me të cilët ndaj shumë gjëra”.
Sipas tij, finalja nuk është përmendur fare në grumbullimin e Italisë: “As shaka nuk kemi bërë për atë ndeshje. Po flasim vetëm për dy ndeshjet e radhës dhe për të dhënë gjithçka së bashku”, është shprehur ai.
Kontrata e Donnarummas me PSG përfundon verën e ardhshme, ndërkohë që ai është përfolur për një kalim të mundshëm te Inter, sidomos pas raportimeve se agjenti i tij është parë në selinë e klubit zikaltër mëngjesin e së mërkurës.
“Nuk e dija që ishte te Interi”, ka thënë Donnarumma. “Unë jam mirë në Paris dhe klubi do të vendosë për rinovimin ose jo. Jam i gatshëm për çdo skenar, por opsioni im i parë është Paris Saint-Germain, sepse ndihem mirë, tifozët më duan dhe skuadra më do. Shpresoj të qëndroj aty për shumë vite”.
Edhe pse ishte hero i Italisë në Euro 2020, ku shpëtoi skuadrën me pritje vendimtare në penallti, Donnarumma është përballur shpesh me kritika nga mediat dhe tifozët italianë për gabime të bëra me PSG. Por ai beson se aktualisht është në formën më të mirë të karrierës dhe meritën e madhe ia jep trajnerit të PSG, Luis Enrique.
“Kur kthehesh në vendin tënd dhe nuk pritesh siç meriton, nuk është e lehtë”, ka thënë ai. “Tani jam i lumtur që kam gjetur vetëbesimin, balancën dhe mentalitetin e duhur. Jam i lumtur që i kam bindur italianët”. “Me Luis Enrique kam gjetur ekuilibrin në gjithçka. Ai më ka ndihmuar shumë, sidomos në aspektin mendor.”
Italia e nis fushatën kualifikuese për Botërorin 2026 të premten në transfertë kundër Norvegjisë, ndërsa të hënën pret Moldavinë në shtëpi.
