FC Prishtina dhe AC Milan zyrtarizojnë partneritetin – kamp veror për të rinjtë në Hajvali
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar me krenari zyrtarizimin e bashkëpunimit mes klubit futbollistik FC Prishtina dhe gjigantit italian AC Milan. Ky partneritet shënon një hap të rëndësishëm për zhvillimin e sportit në Kryeqytet duke sjellë për herë të parë AC Milan Junior Camp në Kosovë.
Kampi do të mbahet nga data 9 deri më 13 korrik në Hajvali dhe do të jetë i hapur për vajza dhe djem nga të gjitha komunitetet. Të rinjtë do të kenë mundësinë të trajnohen nga trajnerë me përvojë ndërkombëtare, sipas standardeve të një prej klubeve më të mëdha në botë.
Në prezantimin zyrtar të kampit morën pjesë: Kushtrim Mushica, Drejtor i Sportit në Komunën e Prishtinës, Kushtrim Demiri, Drejtor i Kampit AC Milan Junior Camp, Bekim Isufi, Kryetrajner i kampit, dhe Genc Mala, Nënkryetar i AC Milan Club Kosova Fan.
“Ftoj të gjithë të rinjtë e Kryeqytetit t’i bashkohen kësaj përvoje unike që fuqizon të rinjtë tanë përmes sportit dhe edukimit”, u shpreh kryetari Rama duke theksuar rëndësinë e këtij bashkëpunimi për të ardhmen sportive dhe edukative të fëmijëve në Prishtinë. /Kosova.info/
