100 vjet Mikrobiologji në Kosovë: Përurohet pllaka përkujtimore në Prizren
Sot, në ambientet e Qendrës Rajonale të Shëndetësisë Publike në Prizren, u përurua një pllakë përkujtimore në nder të 100-vjetorit të fillimit të veprimtarisë së organizuar të mikrobiologjisë në Kosovë.
Në vitin 1923, pikërisht në këtë qytet, nisi punën Njësia Bakteriologjike e Përhershme, duke shënuar një moment historik në zhvillimin e mikrobiologjisë moderne dhe të sistemit të shëndetit publik në vendin tonë. Ky institucion shënon fillesat e një tradite shkencore dhe profesionale që ka kontribuar në mënyrë të pandërprerë në mbrojtjen e shëndetit të popullatës.
Gjatë ceremonisë, u theksua rëndësia e mikrobiologjisë si një nga shtyllat themelore në parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve infektive, duke qenë një faktor kyç në ruajtjen e shëndetit publik ndër vite.
Me këtë rast, u shpreh mirënjohje e veçantë për të gjithë profesionistët shëndetësorë – mjekë, teknikë laboratorikë, epidemiologë dhe bashkëpunëtorë të tjerë – për përkushtimin dhe kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në avancimin e këtij sektori jetik për vendin.
Përurimi i pllakës përkujtimore është një akt simbolik, por me vlerë të madhe historike dhe profesionale, që nderon të kaluarën dhe frymëzon për të ardhmen e mikrobiologjisë në Kosovë. /Kosova.info/
