Gjykimi ndaj Vukotiqit drejt fundit

Në seancën përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj të akuzuarit për krime lufte në Kosovë, Zoran Vukotiq, palët kanë dhënë fjalën përfundimtare.

Mbi Vukotiqin rëndojnë katër aktakuza se në vitin 1999, i armatosur dhe me uniformë ka kryer krime në rajonin e Vushtrrisë.

Prokurorja speciale, Florije Saliu Shamolli, tha se vrasjet janë vërtetuar me prova e dëshmitarë.

Dënim maksimal për të akuzuarin Zoran Vukotiq kërkuan edhe përfaqësuesit e viktimave.

Ndërsa avokati mbrojtës i të akuzuarit Zoran Vukotiq ka thënë se kjo është hera e tretë që klienti i tij po gjykohet për krime lufte.

Rasti i parë përmban akuza për vrasje brutale, trajtim çnjerëzor, terror e plaçkitje ndaj karvanit të civilëve të zhvendosur në Studime të Epërme e atë të Poshtme si dhe për përfshirje në Masakrën e Studimes, në të cilën u vranë 116 civilë shqiptarë.

Ai akuzohet edhe për vrasjen e katër civilëve shqiptarë dhe keqtrajtimin e 18 të tjerëve në Vushtrri më 5 maj 1999. Ndërkaq rasti i tretë e ngarkon Vukotiqin me akuzën për vrasjen e 13-vjeçarit Burim Muli. Po ashtu Vukotiq akuzohet edhe për dhunim seksual gjatë luftës.

Vukotiq ishte dënuar me 6 vjet e 6 muaj burgim nga Gjykata për torturë të civilëve shqiptarë që mbaheshin në Burgun e Smrekonicës.


Go to TOP