Aksion kundër korrupsionit në Prishtinë: Arrestohen 10 zyrtarë për ryshfet dhe keqpërdorim detyre
Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda – Njësiti kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit, ka njoftuar për një aksion të gjerë hetimor që ka rezultuar me ndalimin e dhjetë (10) personave të dyshuar për vepra të rënda penale, përfshirë korrupsionin dhe keqpërdorimin e pozitës zyrtare.
Të ndaluarit, që sipas Prokurorisë janë zyrtarë publikë, dyshohen se kanë kërkuar dhe pranuar para ryshfet nga kandidatë për patentë shofer duke ua mundësuar këtyre të fundit pajisjen në mënyrë të kundërligjshme me dokumentin e drejtimit të automjetit.
Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet kanë qenë të shtrira në kohë dhe kanë përfshirë edhe masa të fshehta të hetimit, të cilat janë miratuar me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake.
Gjatë aksionit të zhvilluar në disa lokacione të ndryshme janë kryer bastisje, ku janë sekuestruar prova materiale si armë automatike të llojit kallashnikov, armë gjuetie, municione, para të gatshme, telefona celularë dhe shtëpiza kompjuterike.
Prokurori i shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit prej 48 orësh ndaj të dyshuarve dhe brenda afateve ligjore do të paraqesë kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj tyre.
Prokuroria ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për parandalimin dhe ndëshkimin e këtyre veprave. /Kosova.info/
