Haradinaj: S’e kemi diskutuar emrin e Limajt, do votonim Konjufcën, Bogujevcin apo Selimin pa asnjë kusht

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, deklaroi sot se partia e tij nuk ka marrë ndonjë qëndrim lidhur me mundësinë për ta votuar Fatmir Limajn për kryetar të Kuvendit të Kosovës.

Pas dështimit të përpjekjes së 23-të për konstituivin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit, Haradinaj tha para gazetarëve se AAK-ja ka ofruar zgjidhje konkrete duke propozuar tre emra të deputetëve të Vetëvendosjes që, sipas tij, do të mund të votoheshin pa asnjë kusht.

“Ne kemi dhënë zgjidhje pa asnjë kundër-vlerë, pra s’kemi kërkuar asgjë nga Vetëvendosje. Deri tani kemi propozuar tre emra që mund t’i votojmë – Saranda Bogujevci, Shqipe Selimi dhe Glauk Konjufca. Nëse sot do të kishim njërin nga këta tre emra, pa asnjë kërkesë, pa asnjë kusht, ne do t’i votonim”, deklaroi Haradinaj.

Ai theksoi se për emrin e Fatmir Limajt nuk është zhvilluar ndonjë diskutim brenda partisë duke sqaruar se qëndrimi i AAK-së është i përqendruar vetëm tek propozimet që ata i konsiderojnë unifikuese.

“Për zotëri Limajn nuk kemi ndonjë qëndrim. As nuk e kemi diskutuar brenda partisë. E kemi bërë një propozim të qartë me emra që do të mund të unifikonin spektrin politik”, shtoi ai.

Në anën tjetër, kreu i Nismës Social Demokrate, Fatmir Limaj, konfirmoi sot se është takuar me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca. Por Haradinaj tha se një takim i tillë nuk ndikon në qëndrimin e tij.

“Ato nuk janë pjesë e interesimit tim, kush me kë takohet nuk përbën më ndonjë lajm. Ajo që më intereson është të zgjedhim kryetarin apo kryetaren e Kuvendit. Nëse Vetëvendosje nuk i ka numrat për qeveri, prapë mund ta bllokojë konstituivin e plotë të Kuvendit tek nënkryetarët, por të paktën të zgjedhim kryetarin”, theksoi ai.

AAK-ja, sipas Haradinajt, është e gatshme të kontribuojë në tejkalimin e ngërçit institucional, por vetëm përmes një kandidature të paanshme dhe pa marrëveshje të fshehta. /Kosova.info/

Go to TOP