Makina përplas turmën e tifozëve të Liverpool-it, 27 të lënduar
Një ditë festimesh për fitoren e titullit të Premier League nga Liverpool FC, mbrëmjen e së hënës, u shndërrua në kaos, kur një makinë hyri në mes të turmës së tifozëve, duke plagosur 27 persona, përfshirë katër fëmijë.
Policia e Merseyside konfirmoi se ngjarja nuk po trajtohet si akt terrorist. Një burrë 53-vjeçar, shtetas britanik me origjinë të bardhë, është arrestuar në lidhje me rastin, i cili po konsiderohet si një “incident i izoluar”.
“Ne besojmë se ky është një incident i izoluar dhe aktualisht nuk jemi në kërkim të ndonjë personi tjetër në lidhje me të,” tha Ndihmës Shefja e Policisë, Jenny Sims, në një konferencë për media. “Incidenti nuk po trajtohet si akt terrorist,” shtoi ajo, raporton APFnews.
Makina, e përshkruar si ngjyrë e errët, devijoi në drejtim të turmës në rrugën Water Street, pak minuta pasi autobusi i hapur me lojtarët e Liverpool-it kishte kaluar aty pranë. Dëshmitarët përshkruan skena paniku teksa automjeti përshpejtoi përmes turmës së dendur.
“Fillimisht dëgjuam vetëm një zhurmë ‘pop, pop, pop’ teksa njerëzit goditeshin nga kofanoja e makinës,” tha Harry Rashid, 48 vjeç, nga Solihull, i cili ndodhej në paradë me gruan dhe dy vajzat e tij të vogla. “Ishte tmerruese – mund të dëgjoje përplasjet teksa makina kalonte mbi njerëzit.”
Dëshmitari tjetër, Mike Maddra, tha: “Makina u kthye majtas, hipi në trotuar, erdhi drejt nesh dhe u drejtua drejt ndërtesave… po përshpejtonte.”
Në mesin e të lënduarve ishin dy persona në gjendje të rëndë dhe katër fëmijë, njëri prej të cilëve gjithashtu në gjendje serioze.
Dhjetëra mijëra tifozë kishin dalë në rrugë, përkundër reshjeve të dendura të shiut, për të festuar titullin e fituar nga skuadra nga veriperëndimi i Anglisë.
Policia ka nisur një hetim të plotë dhe ka bërë thirrje për dëshmitarë dhe pamje nga momenti i ngjarjes.
