Hamasi pajtohet me propozimin e ShBA-së për armëpushim në Gaza, thotë një zyrtar palestinez
Hamasi është pajtuar me një propozim të emisarit të posaçëm amerikan, Steve Witkoff, për armëpushim në Gaza, i tha të hënën agjencisë “Reuters” një zyrtar palestinez i afërt me grupin, duke ia hapur rrugën përfundimit të mundshëm të luftës.
Propozimi i ri, me të cilin do të liroheshin dhjetë pengje dhe do të uleshin armët për 70 ditë, u pranua nga Hamasi përmes ndërmjetësve, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ky propozim e përfshin lirimin e dhjetë pengjeve të gjalla izraelite që mbahen nga Hamasi në dy grupe në këmbim të një armëpushimi 70-ditor dhe një tërheqje të pjesshme nga Rripi i Gazës” – tha burimi.
Me këtë propozim gjithashtu lirohet një numri i të burgosurve palestinezë nga Izraeli, përfshirë qindra prej atyre që janë duke vuajtur dënime me burgim të gjatë.
Nuk pati koment të menjëhershëm nga Izraeli.
