Ryshfet për kalimin e testit të vozitjes – ndalohen dy zyrtarë publikë në Prishtinë

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes Departamentit për Krime të Rënda dhe Njësitit kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit, ka bërë të ditur se ka ndaluar dy zyrtarë publikë nën dyshimet për korrupsion.

Sipas njoftimit zyrtar, më 19 maj 2025, me vendim të prokurorit të rastit, janë ndaluar dy persona për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprave penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421 dhe “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Personat e ndaluar, të cilët janë zyrtarë publikë, dyshohen se i kanë kërkuar dhe pranuar para nga një kandidate për testin praktik të vozitjes, në mënyrë që ajo ta kalonte testin.

Prokuroria njofton se ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa brenda afateve ligjore do të ndërmerren të gjitha veprimet procedurale për grumbullimin e provave dhe ndjekjen penale të tyre.

Prokurori i Shtetit rithekson përkushtimin për luftimin e korrupsionit dhe sjelljen para drejtësisë të çdo personi që cenon ligjin dhe integritetin e institucioneve publike. /Kosova.info/

Go to TOP