Izraeli nis ofensivën tokësore në Gazë

Forcat Mbrojtëse të Izraelit kanë njoftuar se kanë filluar operacione masive tokësore në Rripin e Gazës – ofanzivë e quajtur “Operacioni Gideon”, e cila, sipas Tel Avivit, ka për qëllim shkatërrimin e Hamasit dhe pritet të përfshijë të gjitha pjesët e territorit.

Është bërë e ditur gjithashtu se forcat izraelite, aktualisht, po mbajnë nën rrethim spitalin në Beit Lahia – një nga pak qendrat mjekësore operative në Rripin e Gazës – veprim që, sipas organizatave humanitare, do të ketë pasoja të rënda për civilët palestinezë.

Gjithashtu është raportuar se, si pjesë hapëse e këtij operacioni, aviacioni izraelit ka goditur 670 caqe në Gaza, të cilat, sipas Tel Avivit, kanë qenë objektiva të Hamasit.

Mirëpo, autoritetet në Rripin e Gazës thonë se shumica e caqeve të goditura gjatë natës së kaluar kanë qenë objektiva civile, dhe shtojnë se si pasojë e bombardimeve janë vrarë më shumë se 140 civilë, ndërsa rreth 400 të tjerë janë plagosur.

OKB-ja, grupet humanitare dhe shumë vende të botës kanë dënuar ofanzivën e re izraelite, duke thënë se ajo do të shkaktojë vuajtje të reja për civilët. Megjithatë, deri më tani, Tel Avivi zyrtar nuk ka treguar asnjë shenjë se presioni ndërkombëtar po ndikon në mënyrën e udhëheqjes së kësaj lufte.

Përkundër shkatërrimit masiv në Gaza, duket se grupet militante kanë arritur të ruajnë të paktën një pjesë të armatimit dhe fuqisë së tyre. Është raportuar se militantët palestinezë kanë arritur të lëshojnë raketa drejt Izraelit, ndërsa ka njoftime për përleshje të ashpra mes luftëtarëve të Hamasit dhe ushtarëve izraelitë në disa zona të Rripit të Gazës.


Go to TOP