Zëvendësdrejtori i policisë takon ambasadorin britanik: Bashkëpunimi i shkëlqyeshëm në funksion të sigurisë
Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Fehmi Hoti, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ka pritur në një takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z. Jonathan Hargreaves.
Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, ku u shkëmbyen informacione të rëndësishme mbi situatën aktuale të sigurisë në vend, me theks të veçantë për zhvillimet në pjesën veriore të Kosovës. Zv.Drejtori Hoti e informoi ambasadorin Hargreaves mbi përkushtimin profesional të Policisë së Kosovës, si një institucion demokratik dhe i zhvilluar në funksion të sigurisë së përgjithshme dhe respektimit të ligjit.
Gjatë diskutimeve, z. Hoti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, duke vënë në pah bashkëpunimin e ngushtë dhe të vazhdueshëm me Ambasadën Britanike në Kosovë. Ai shprehu mirënjohje për përkrahjen e ofruar ndër vite nga pala britanike, përfshirë organizimin e trajnimeve të avancuara për zyrtarët policorë dhe ndihmën me pajisje logjistike dhe teknologjike që kanë kontribuar në rritjen e kapaciteteve të PK-së.
Ambasadori Hargreaves falënderoi zëvendësdrejtorin Hoti dhe stafin e Policisë për mikpritjen, duke vlerësuar lartë profesionalizmin dhe angazhimin e Policisë së Kosovës në garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ai gjithashtu theksoi se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të mbështesë PK-në në përpjekjet e saj për zhvillim dhe përmirësim të mëtejshëm.
Takimi u përmbyll me dakordim të ndërsjellë për forcimin e mëtejshëm të partneritetit dhe bashkëpunimit në fusha të ndryshme të sigurisë, me synim rritjen e efektivitetit në parandalimin dhe luftimin e veprimtarive kriminale dhe në garantimin e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës. /Kosova.info/
