Bajrami: ZRrE nuk mund të kërkojë dalje në treg të lirë që nuk ekziston – kërkojmë zgjidhje për bizneset

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka sqaruar publikisht detaje nga takimi i mbajtur me Bordin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) duke falënderuar institucionin për pritjen dhe diskutimin mbi kërkesën e deputetëve për anulimin apo shtyrjen e vendimeve të fundit për tarifat e energjisë elektrike për bizneset.

Bajrami theksoi se pavarësisht se ZRrE është institucion i pavarur sipas ligjit, drejtori Fejzullahu gjatë takimit e ka bërë të qartë se e vetmja mënyrë për të adresuar kërkesën e deputetëve është që Qeveria të subvencionojë dallimin në tarifa, një masë që do të kushtonte rreth 50 milionë euro për të mbajtur në tregun e rregulluar rreth 1300 biznese. Ajo kujtoi se në të kaluarën qeveritë kishin ndërhyrë me subvencione, ndërsa këtë herë mungon vullneti për një gjë të tillë.

“ZRrE, megjithëse ka licencuar 19 operatorë, aktualisht vetëm KESCO ofron energji për biznese. Me vetëm një ofertues nuk ka konkurrencë të lirë, prandaj nuk mund të kërkohet nga bizneset të dalin në një treg që realisht nuk ekziston”, tha Bajrami.

Ajo paralajmëroi se rritja e çmimit me 260% për prodhuesit vendorë, të cilët tashmë kanë kontrata eksporti shumëvjeçare, do të ishte fatale për ekzistencën e tyre. Në fund, Bajrami bëri thirrje për t’u përqendruar në gjetjen e një zgjidhjeje reale për bizneset dhe jo në polemika ndërinstitucionale. /Kosova.info/

Go to TOP