Policia e Kosovës shënon Javën Globale të Sigurisë Rrugore 2025: Fokus te këmbësorët dhe çiklistët
Policia e Kosovës po shënon Javën Globale të Sigurisë Rrugore 2025, e cila këtë vit zhvillohet nga data 12 deri më 18 maj, me temën “Të bëjmë ecjen dhe çiklizmin të sigurt”.
Në kuadër të kësaj jave ndërkombëtare, Policia e Kosovës ka theksuar përkushtimin e saj për të garantuar sigurinë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik, me fokus të veçantë tek këmbësorët dhe çiklistët, të cilët shpeshherë janë ndër më të rrezikuarit në rrugë.
“Policia e Kosovës vazhdon të punojë në mënyrë të pandërprerë për ofrimin e sigurisë rrugore dhe për mbrojtjen e jetës së çdo qytetari, veçanërisht atyre që përdorin mënyra të qëndrueshme dhe të shëndetshme të lëvizjes si ecja dhe çiklizmi,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Gjatë kësaj jave, Policia do të organizojë aktivitete vetëdijesuese dhe kontrolluese në terren, duke inkurajuar respektimin e rregullave të qarkullimit dhe ndërtimin e një kulture më të sigurt dhe më të përgjegjshme në trafik. Java Globale e Sigurisë Rrugore përbën një mundësi të rëndësishme për të reflektuar dhe vepruar në drejtim të reduktimit të aksidenteve rrugore dhe ruajtjes së jetës njerëzore. /Kosova.info/
