Messi pëson humbjen më të thellë qëkur u transferua te Inter Miami
Lionel Messi dhe Inter Miami kanë përjetuar një mbrëmje për t’u harruar të shtunën në kampionatin amerikan të futbollit (MLS), duke u mposhtur bindshëm me rezultat 4-1 nga Minnesota United.
Kjo është humbja më e thellë për yllin argjentinas që prej transferimit të tij në SHBA.
Edhe pse Messi ka realizuar në pjesën e dytë pas një asistimi nga Jordi Alba, ai nuk ka mundur ta shpëtojë skuadrën nga Florida nga disfata e katërt në pesë ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Gjatë kësaj serie negative, Inter Miami ka pranuar plot katërmbëdhjetë gola, një shifër alarmante për mbrojtjen e udhëhequr nga trajneri Javier Mascherano.
Pa sulmuesin e dëmtuar Luis Suarez, Mascherano kishte vendosur të luajë pa një qendërsulmues klasik, duke lejuar Messi të lëvizë i lirë para një mesfushe me pesë lojtarë. Por ky formacion nuk ka sjellur rezultat.
Minnesota ka kaluar në epërsi në minutën e tridhjetë e dytë, kur Bongokuhle Hlongwane ka finalizuar një kombinim të zgjuar mes Joaquín Pereyra dhe Carlos Harvey. Vetëm pak minuta më vonë, në fund të pjesës së parë, një rivënie anësore e gjatë është shfrytëzuar nga vendasit, ku Anthony Markanich ka përfunduar topin në rrjetë për 2-0.
Pas pushimit, Messi ka ngushtuar diferencën në minutën e dyzet e tetë, duke treguar edhe një herë klasin e tij me një kontroll dhe finalizim tipik. Por gëzimi ka zgjatur pak: një autogol i mbrojtësit Marcelo Weigandt dhe një tjetër aksion i Tani Oluwaseyi, që ka asistuar për Robin Lod, e kanë vulosur humbjen e thellë 4-1.
Në tabelën e MLS, Minnesota United ndodhet në vendin e dytë në Konferencën Perëndimore me 22 pikë pas dymbëdhjetë ndeshjeve, kurse Inter Miami ndodhet në vendin e katërt në Konferencën Lindore me 21 pikë pas njëmbëdhjetë ndeshjeve.
