BIK: Të mos instrumentalizohet feja për qëllime spiunazhi

Bashkësia Islame e Kosovës ka përshëndetur veprimin e institucioneve të sigurisë në Kosovë, sipas të cilëve, çuan prapa grilave të dyshuarin për spiunazh e veprimtari armiqësore dhe përhapje të ideologjive ekstreme fetare në Kosovë, në dobi dhe për interesa të Serbisë.

“Ky rast, siç është raportuar nga mediat dhe institucionet relevante të sigurisë, ka të bëjë me një person që dyshohet se ka bashkëpunuar me shërbimet e sigurisë së Serbisë, me qëllim që të keqpërdorë fenë islame si pretekst për përhapjen e rrymave të dëmshme në mesin e rinisë sonë, për ta infektuar mendjen e tyre duke dëmtuar fenë tonë të pastër Islame, imazhin e kombit dhe shtetit tonë të Kosovës”, thuhet në reagimin e Bashkësisë Islame e që sot u përçua si mesazh në xhamitë e vendit me rekomandim të Myftiut Tërnava.

Sipas BIK-ut, ai person, në emër të fesë, për interesa të Serbisë, kishte shkuar edhe në Siri, në një luftë që prej fillimit e kanë  sqaruar se nuk ka të bëjë asgjë me fenë islame.

“Islami është fe e paqes, e mëshirës dhe e respektit për rendin dhe drejtësinë. Islami e mbështet shtetin, sigurinë dhe është kundër tradhtisë. Ta tradhtosh një person është prej mëkateve të mëdha në Islam, e lëre më të tradhtosh kombin, shtetin dhe vetë fenë, duke e shfrytëzuar atë si pretekst për t’i shërbyer armikut. Në këtë kontekst, përshëndesim veprimin e institucioneve tona të sigurisë dhe shprehim kundërshtimin e fortë ndaj çdo forme të përpjekjeve për instrumentalizimin e fesë për qëllime politike, propagandistike apo të spiunazhit. Këto veprime janë sulm ndaj shtetit, ndaj shoqërisë dhe sulmi më i madh ndaj vetë fesë së pastër Islame”, thuhet në mesazhin e BIK-ut.

U kanë bërë thirrje të gjithëve, veçanërisht rinisë që të kenë kujdes të shtuar dhe të mos bien në kurthet e rrymave devijante, që sipas tyre, synojnë t’i mashtrojnë në emër të fesë. “Mos lejoni që askush të përdorë emrin e Zotit për qëllime armiqësore dhe të errëta”, ka thënë BIK-u.

Kanë bërë thirrje që mësimet fetare t’i marrin vetëm nga Bashkësia Islame e Kosovës dhe nga imamët e saj të autorizuar, në xhamitë anë e kënd Kosovës, të mos ndjekin individë apo platforma anonime që pretendojnë të shpërndajnë dije islame, por që në thelb mund të jenë mjete të propagandës së agjendave të qarqeve të huaja që janë kundër kombit, shtetit dhe fesë. /Kosova.info/

Go to TOP