Gashi: Papa Leo XIV forcon lidhjet historike mes shqiptarëve dhe Vatikanit
Anëtari i kryesisë së LDK-së Alush Gashi ka përshëndetur zgjedhjen historike të Papa Leo XIV, i pari Papë amerikan në histori, i cili në fjalët e tij të para u shpreh: “Paqja qoftë me ju të gjithë”. Gashi e ka cilësuar këtë moment si një rikthim te lidhjet e qëndrueshme mes popullit shqiptar dhe Selisë së Shenjtë.
Në një reagim publik, Gashi solli në kujtesë një prej momenteve më domethënëse të marrëdhënieve shqiptaro-vatikane – takimin e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, me Papa Gjon Palin II në fillim të viteve ’90. Gjatë kësaj audience, Rugova kishte folur me përulësi për vuajtjet e shqiptarëve nën regjimin serb, për aspiratat për liri dhe shtetësi, ndërkohë që Papa Gjon Pali II, i ndikuar edhe nga përkushtimi i Nënë Terezës, shfaqi mirëkuptim dhe përkrahje.
Gashi theksoi gjithashtu se lidhja shpirtërore mes shqiptarëve dhe Vatikanit thellohet edhe më shumë nga trashëgimia e katër papëve me origjinë shqiptare, të përmendur edhe nga Osservatore Romano:
Papa Shën Eleutherius (175–189), që kontribuoi në përhapjen e krishterimit në Perandorinë Romake.
Papa Shën Kaius (283–296), udhëheqës në kohë persekutimi.
Papa Gjoni IV (640–642), që mbrojti popujt e Dalmacisë.
Papa Klementi XI (1700–1721), me origjinë nga familja Albani, që kontribuoi në organizimin e jetës fetare shqiptare dhe promovoi Këshillin e Parë Kombëtar Shqiptar në 1703.
“Paqja qoftë me ju të gjithë”, thirrja e Papa Leo XIV, sipas Gashit, është një mesazh që prek thellësisht popullin shqiptar dhe i rikujton atij rolin që ka pasur gjithnjë në mbrojtjen e paqes dhe lirisë, në frymën e bashkëpunimit me Selinë e Shenjtë. /Kosova.info/
