KQZ nuk regjistron partinë e re, tërhiqet nga pezullimi i KATP-së
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka arritur që ta regjistrojë partinë politike Kosovski Savez (Lidhja Kosovare), një iniciativë politike e udhëhequr nga Goran Marinkoviq meqë rekomandimi i Zyrës për Regjistrimin Partive Politike nuk mori 8 votat e nevojshme të përcaktuara sipas Ligjit për Zgjedhjet. Disa nga anëtarët e KQZ abstenuan.
Në mbledhjen e KQZ nga Zyra për Regjistrimin e Partive Politike thanë se kjo iniciativë ka dorëzuar të gjithë dokumentacionin në zyrë ashtu siç kërkohet me rregullore, përfshirë statutin, programin e aktin e themelimit si dhe fletëpagesën.
Kanë bërë të ditur se i kanë dhënë sugjerimet e tyre pasi kanë parë gjithë dokumentacionin duke i kërkuar kësaj iniciative politike ndryshme e plotësime, për çka tha se i kanë bërë.
Por, anëtari i KQZ-së nga Vetëvendosje, Alban Krasniqi i ka hedhur një pjesë përgjegjësie kësaj zyre që e kanë pranuar dokumentacionin e kësaj iniciative, e cila nuk i referohet emrit zyrtar Republika e Kosovës, por vetëm si Kosovë.
“Kosovës nuk i referohet me emrin kushtetues, Republika e Kosovës. Kosova nuk është term gjeografik, por është shtet. Unë e kam problem nëse nuk është kjo emërtesë. Nuk e fajësoj shumë subjektin, por barrën e përgjegjësisë ua lë më shumë juve që terminologjitë kushtetuese duhet të jenë pjesë e programeve politike”, tha ndër të tjera Krasniqi.
Ndërkohë KQZ-ja nuk e ka pezulluar partinë Kosova Adalet Turk Partisi e cila nuk e kishte dorëzuar brenda afatit ligjor, data e fundit e të cilit ishte 28 prill 2025, raportin e deklarimit financiar të fushatës zgjedhore të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.
Siç u bë e ditur në këtë mbledhje, pas këtij afati kjo parti ka dorëzuar raportin për deklarimin financiar të fushatës zgjedhore dhe rrjedhimisht kanë pushuar arsyet për pezullimin e saj, por për vonesat Zyra i ka shqiptuar gjobë prej 5 mijë eurosh.
