Kampionia nga Japonia rikthehet në Prishtinë për eventin botëror “WTT 2025”

Federata e Pingpongut e Kosovës (FPPK) është duke u përgatitur për të mirëpritur dy nga turnetë më të rëndësishëm të pingpongut në kalendarin ndërkombëtar: WTT Youth Contender dhe WTT Feeder, që do të zhvillohen në Prishtinë gjatë ditëve në vijim.

Interesimi për këto gara ka qenë i jashtëzakonshëm, me rreth 600 pjesëmarrës nga 45 shtete të ndryshme, përfshirë edhe 12 vende që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës – një tregues i qartë i ndikimit të sportit përtej kufijve politikë dhe një sukses i diplomacisë sportive të vendit.

Një nga emrat më të njohur që rikthehet në Prishtinë është Sakura YOKOI, kampionia në fuqi e turneut dhe një nga lojtaret më të mira në botë, aktualisht e renditur në vendin e 33-të në ranglistën botërore. Pjesëmarrja e saj konsiderohet një nder dhe një rast i veçantë për vendin tonë, duke tërhequr vëmendjen e publikut dhe adhuruesve të sportit të pingpongut.

FPPK thekson se të dyja ngjarjet do të jenë të hapura për publikun dhe fton të gjithë sportdashësit të ndjekin nga afër garat, të mbështesin sportistët vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe të bëhen pjesë e një atmosfere sportive unike që reflekton bashkëpunim, respekt dhe pasion për sportin.

Këto turne përbëjnë një moment të rëndësishëm për zhvillimin e pingpongut në Kosovë dhe për afirmimin e saj si një mikpritëse e denjë e ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare. /Kosova.info/


Go to TOP