Don Agim Qerkini: Papa është zë moral për mbarë njerëzimin
Konklava për zgjedhjen e Papës së ri ka nisur sot, me kardinalët që janë mbledhur në Vatikan për të zgjedhur udhëheqësin e ardhshëm të Kishës Katolike. Në një intervistë për magazinën “Info Plus” të RTK-së, famulltari Don Agim Qerkini ka komentuar procesin e zgjedhjes dhe mesazhin që pritet të përcillet nga Papa i ri.
Don Agimi ka theksuar se ky proces është një përgjegjësi e madhe, ku, pavarësisht preferencave personale të kardinalëve, ata duhet të veprojnë nën udhëzimin e Shpirtit të Shenjtë.
“Votimi do të bëhet me një përgjegjësi të madhe; është pra një përgjegjësi e madhe, pa marrë parasysh që edhe kardinalët mund të kenë preferencat e tyre personale, mbi të gjitha vihen nën ndikimin e Shpirtit të lutjes, Shpirtit të Shenjtë, sepse nuk bëhet vetëm një zëvendësim personash në kontekstin e Papëve, por mbi të gjitha një rikthim i Shën Pjetrit në selinë që Krishti ia ka besuar; pra bëhet fjalë për një pushtet të besuar prej Zotit”, ka deklaruar ai.
Duke folur për mesazhin që pritet të përcillet nga Papa i ri, Don Agimi ka theksuar vijueshmërinë e mesazhit të Papa Françeskut për promovimin e vlerave njerëzore. Ai ka shtuar se, përveç kësaj natyre, janë edhe çështjet globale që lidhen me mbarë njerëzimin, duke theksuar se Papa është jo vetëm një lider shpirtëror i një besimi, por edhe një zë moral për mbarë njerëzimin, duke bërë thirrje për bashkim rreth çështjeve që lidhin interesat e përbashkëta.
